Portieri malazez Miroslav Vujadinoviç ende nuk e ka vendosur se me cilën skuadër do të luajë sezonin e ri. Ai tashmë është një futbollist I lirë pasi kontrata që ka patur me Vllazninë I ka përfunduar më 31 maj. 30 vjeçari ndodhet në Podgoricë pranë familjes së tij dhe po kalon disa ditë pushimesh megjithatë në vëmendjen e tij është edhe e ardhmja. Sigurisht që ka interesim për të mësuar edhe se çfarë po ndodh tek Vllaznia. Pikësëpari, në kontaktin me të, pyet nëse Smajli ka firmosur zyrtarisht me Flamurtarin. Kur I themi “po”, toni I zërit I ndryshon sepse e kupton që gjërat nuk po shkojnë aq mirë tek kjo skuadër. Ai ka dijeni se tre futbollistë bashkëatdhetarë të tij, pikërisht ata nga ekipi I Zetës, kanë rënë dakord të luajnë me Vllazninë në sezonin e ri dhe e quan positive këtë gjë megjithatë kur e pyesim nëse do firmosë edhe ai, Vujke, kështu e thërrasin miqtë e tij, përgjigjet:
“Për momentin nuk kam vendosur asgjë. Unë po studioj të gjitha ofertat që më kanë ardhur dhe mbase për pak ditë do të vendos. Mund të konfirmoj se aktualisht gjasat më të mëdha janë që unë të firmos në një kampionat tjetër, as në atë malazez dhe as në atë shqiptar, por në një tjetër”. Megjithatë, dy ditë më parë, pikërisht në prezantimin e tre malazezëve të sapoardhur, Burzanoviç, Bozhoviç dhe Novoviç, presidenti I klubit shkodran Agron Çela deklaroi se do mbante në skuadër edhe Vujadinoviç dhe Dragoin. Madje, ai e bëntë punë të kryer këtë gjë. I pyetur në lidhje me këtë deklaratë të presidentit, vetë portieri malazez është përgjigjur: “Tani po marr vesh se çfarë ka thënë presidenti. Unë dua të sqaroj se këto ditët e fundit nuk kam patur asnjë kontakt me të, pikërisht që nga momenti kur ka mbaruar kampionati. Nëse ai dëshiron të më mbajë, natyrisht që edhe unë kam kushtet e mia. Pikë së pari, të likujdohem për pjesën e mbetur të sezonit të kaluar, së dyti, të biem dakord nga ana financiare për kushtet e kontratës së re dhe së treti, çka është edhe më e rëndësishmja për mua, unë mund të vij vetëm nëse Vllaznia bëhet një ekip pretendent. Nëse nuk është I tillë, pavarësisht anës financiare të kontratës, nuk do kthehesha më në Shkodër. Duke qenë kështu, më duhet të shoh deri në fund se çfarë do ndodhë tek kjo skuadër dhe pastaj do vendos”. Nisur nga kjo deklaratë e vetë portierit, duhet thënë se palët janë ende larg njëra- tjetrës për të hedhur firmë në kontratën e re. megjithatë, përderisa Vujadinoviç ende nuk ka arritur asnjë akord me ndonjë klub tjetër, opsioni për të luajtur edhe sezonin e katërt në Shkodër, ekziston sërish. Sigurisht që ish-portieri I Buduçnostit dhe I Vllaznisë, ka dëshirë ndoshta që tashmë të gjejë një kampionat tjetër për të vazhduar karrierën e tij, ndoshta për të fituar edhe më shumë nga ana financiare sepse kuptohet që dalëngadalë po I vjen fundi karrierës së tij. Për momentin, ai ka patur interesim edhe nga Irani I largët, por edhe nga Çekia. Gjithsesi, Miroslav Vujadinoviç është para një dileme për të vendosur. Shanset për t’u rikthyer sërish në Shkodër duken të pakta në kushtet aktuale megjithatë, një këmbëngulje e presidentit Çela mund të realizojë çdo gjë. Prandaj dhe duhet pritur. Mbase edhe disa ditë. Derisa gjithçka të marrë një zgjidhje. Vllaznia për momentin nuk ka askënd në portë dhe ndoshta gjërat duhet të fillojnë të marrin zgjidhje që këtu. Me Vujadinoviç në mes të katërkëndëshit gjërat do bëheshin edhe më të lehta edhe për trajnerin Bushati.
Gjergj KOLA