Tashmë nuk ka më asnjë dilemë. Miroslav Vujadinoviç ka hedhur sërish firmë për ekipin e Vllaznisë. Kjo do të thotë se ai edhe për një tjetër sezon do të mbrojë portën e kësaj skuadre. Zhurma e krijuar në lidhje me këtë rinovim ka marrë fund tashmë. Portieri I njohur malazez pasi ka kryer procedurën e firmosjes së kontratës, është sistemuar në banesën ku do të qëndrojë për një vit dhe pastaj në orën 17.30 ka qenë në dispozicion të trajnerit Canaj dhe ndihmësve të tij për të zhvilluar seancën e parë stërvitore për këtë sezon. Forma e tij sigurisht që është shumë e mirë pasi vjen nga pjesmarrja me ekipin Mlladost të Podgoricës në tre ture të Europa League.

Firma në kontratë
Malazezi 30 vjeçar ka mbërritur afër mesditës së djeshme në Shkodër. Ai është pritur në zyrat e klubit nga ana e drejtorit sportiv Armir Grima. Një kafe mes miqsh dhe më pas është diskutuar edhe për disa detaje të vogla që kishin mbetur për kontratën e re. Nuk ka patur asnjë problem në zgjidhjen e tyre sepse të dy ata, i kishin diskutuar prej kohësh gjërat. Pas kësaj, është vazhduar me hedhjen e firmës në kontratë teksa ajo do të jetë njëvjeçare. Me marrjen e portierit Vujadinoviç, tashmë porta kuqeblu duket e “blinduar”. 30 vjeçari nga Podgorica njihet si një nga portierët më të mirë të kampionatit shqiptar dhe për më tepër në Shkodër ndihet si në shtëpinë e tij pasi ky do të jetë sezoni i katërt që do të veshë fanellën kuqeblu.
Premtimi
Pasi ka kryer procedurën e hedhjes së firmës, portieri Vujadinoviç ka folur dy fjalë edhe për kontratën e re me kuqeblutë. “Ndjehem mirë pas kësaj kontrate të re që firmosa me Vllazninë. Në Shkodër ndihem si në shtëpinë time sepse ky do të jetë sezoni im I katërt këtu. Jam në dijeni të ndryshimeve që kanë ndodhur në skuadër gjatë kësaj periudhe por mund të them se nëse gjejmë edhe një mesfushor dhe një sulmues, do të jemi një skuadër pretendente në sezonin e ri. Të them të drejtën kam qenë shumë pranë firmosjes në Poloni por ideja e Vllaznisë më ka ngacmuar gjithmonë dhe prandaj vendosa të kthehem. Po ashtu edhe Mlladost, skuadër me të cilën luajta në Europa League, më ofroi gati sa Vllaznia megjithatë unë sërish zgjodha këtë të fundit. Ndoshta ia kam borxh drejtorit Grima me të cilin kam raporte të shkëlqyera dhe tifozëve të kësaj skuadre që më kanë respektuar vazhdimisht dhe prandaj premtoj se do të bëj sërish më të mirën për këtë skuadër”- ka thënë ardhja më e fundit e merkatos kuqeblu. Vujadinoviç  ka dalë menjëherë në stërvitje pasdite dhe kjo është pritur mirë edhe nga stafi drejtues por edhe nga kolegët futbollistë sepse me të në portë, të gjithë do të jenë më të qetë. Gjërat tashmë tek skuadra shkodrane duken më mirë. Të paktën në prapavijë, gjithçka është “ok”. Nëse rregullohet diçka edhe më përpara, do të ishte shumë më mirë. Vetë Vujadinoviç beson se edhe futbollistët e tjerë që janë në dilemë për të firmosur apo jo me Vllazninë, pasi ta kenë marrë vesh se ai vetë ka firmosur, do të bëjnë edhe ata të njëjtën gjë. Por për këtë duhet pritur. Afati I fundit I mbylljes së merkatos, ka ende ditë për të ardhur.
Gjergj KOLA

“Konkurrenca s’më tremb. Na bën veç mirë”
Me ardhjen e portierit Vujadinoviç, tashmë ky repart duket mëse I plotësuar. Megjithatë në ditët në vazhdim, mund të ketë një tjetër firmë sa I takon portës. Bëhet fjalë për kosovarin Flamur Neziri. Ai ka pak ditë që është bashkuar në stërvitje me Vllazninë dhe paraqitja e tij e deritanishme duket e mirë. Kjo mund të bëjë që edhe ai të mbahet në skuadër. Përveç tij është edhe Selimaj dhe gjërat duken në rregull. I pyetur për këtë fakt dhe për konkurrencën që mund të ketë, Vujadinoviç është shprehur: “Konkurrenca? Unë nuk frikësohem asnjëherë prej saj. Jam I përgatitur për këtë gjë. Edhe nëse do të vijë ky portieri kosovar që thoni ju, do të jetë më mirë për skuadrën. Kush do jetë më në formë, do të luajë në formacion por unë nuk trembem nga kjo gjë”.