Kombëtarja shqiptare përballet sot në mbrëmje me Serbinë, në përpjekje për të siguruar një vend në fazën finale të Botërorit 2026.

Në stadiumin “Duboçica” të Leskovacit, Shqipëria do të përballet me Serbinë, në një sfidë të karakterizuar nga emocione të forta, ngarkesë psikologjike, por edhe përgjegjësi të madhe. Të dyja skuadrat kanë vetëm një objektiv: fitoren. Çdo rezultat tjetër i lë jashtë garës për kualifikim.

Trajneri i kuqezinjve, Silvinjo, pritet të zbresë në fushë me një formacion sulmues. Gazetari i RTSH Sport, Eno Skarço, raporton nga Leskovaci për zhvillimet e fundit në prag të kësaj përballje të rëndësishme.

“Futbollistët janë të qetë dhe Silvinjo e ka të qartë që duhen të fitojnë kundrejt Serbisë. Në seancën stërvitore zyrtare Silvinjo ka provuar dhe një skeme 4 -4 -2 me Brojën dhe Manaj sulmues të pastër. Pjesa tjetër mbetet e pandryshuar me një linjë katërshe me mesfushorët, të cilët janë të zakonshmit që Silvinjo përdor. Nuk është e qartë që ta fillojë që në fillim me këtë modul të ri apo në varësi të lojës. Starkosha në portë, Hysaj dhe Mitaj nga krahët dhe qendra do të formohet nga dyshja Ajeti –Gjimshiti”, tha Skarço.

Ndërkohë, mesfushori Nazmi Gripshi, i cili ka udhëtuar nga Kazakistani ku aktivizohet me Astanën, do ta ndjekë ndeshjen nga tribuna, pasi tekniku brazilian ka vlerësuar se ende nuk ka ardhur momenti i tij për debutim në Kombëtare.

Për shkak të historikut të tensionuar mes dy vendeve, ndeshja është vlerësuar me rrezikun më të lartë të sigurisë. Policia serbe është në gatishmëri maksimale dhe ka shoqëruar kombëtaren shqiptare gjatë gjithë qëndrimit në Leskovac, ndërsa disa rrugë janë bllokuar për arsye sigurie.

Për të garantuar mbarëvajtjen e sfidës, FIFA ka dërguar dy oficerë sigurie, të cilët do të monitorojnë me rreptësi çdo zhvillim në stadium.

Federata e Futbollit e Serbisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, UEFA-n, FIFA-n dhe autoritetet përkatëse, ka apeluar që ndeshja të zhvillohet në një atmosferë të qetë, në frymën e sportit dhe të fair-play-t.