Presidenti i Vllaznisë, Agron Çela, është zotuar të bëjë një skuadër cilësore sezonin e ardhshëm. Ai ka deklaruar se Vllaznia nuk e arriti dot objektivin që i vuri vetes fazën e dytë, pasi nuk u afruan dy futbollistët cilësorë që priteshin të vinin, por gjithsesi shkodranët do ta respektojnë garën deri në fund dhe se po mendohet që tani për sezonin e ardhshëm. “Angazhimet e mia në politikë sigurisht që nuk do të ndikojnë në pasionin tim për futbollin. Ajo që mund t’ju them unë është se që tani po mendojmë për skuadrën e sezonit të ardhshëm.

Mendoj se do të afrojmë lojtarë cilësorë dhe do të ndërtojmë një ekip që do ta rikthente Vllazninë pretendente për të dy trofetë dhe jo vetëm për zonën europiane, ashtu sikundër ka ndodhur vitet e fundit”, – tha Çela për “Supersport”. Presidenti ka pohuar se momentalisht skuadra është jashtë objektivave dhe se promovimi i disa të rinjve është një ndër objektivat momental. I ngacmuar, nëse në të ardhmen ai do të vepronte si shumë politikanë (duke qenë se pritet të jetë kandidat për deputet), Çela është shprehur: “Është e vërtetë se politikanët ndonjëherë e kanë të vështirë të realizojnë atë që premtojnë, por unë kam dhënë prova edhe në të kaluarën se e kam mbajtur fjalën dhe ju siguroj se kam njohur në jetën time nga ata politikanë që i mbajnë premtimet, ndaj do të luftoj gjithnjë që t’i mbaj premtimet e mia”, – u shpreh kreu i klubit të Vllaznisë.