Dinamo do ta mbyllë javën e dytë stërvitore me ndeshjen e parë miqësore të këtyre përgatitjeve.Merkatoja vazhdon dhe për momentin emër konkret është vetëm ai i Nehar Sadikit të Erzenit, që mbetet një pistë e hapur, kurse ajo e mbrojtësit Arbenit Xhemajli ka rënë poshtë.

DEKLARATA Presidenti i Dinamos, Adrian Bardhi, në një prononcim për “Panorama Sport” shpreh besimin se skuadra do të jetë e kompletuar për sezonin e ri. Ai bën të ditur se dy ose tre lojtarë do të bashkohen me blutë në Itali, ku do të kryhet pjesa e dytë e fazës përgatitore.

“Puna vazhdon me qetësi dhe unë besoj se jemi në rrugë të mbarë. Jemi në fazë seleksionimesh, ndërkohë që kemi afruar disa lojtarë, siç janë Kaçorri dhe Lorran nga Bylisi, Hoxha, Behiratçe dhe portieri Sali, apo Albion Marku, që ka qenë lojtari ynë. Mendoj se kemi bërë mirë deri tani, por sigurisht që merkatoja është e hapur. Kini besim, do të bëjmë gjëra të mira këtë herë. Ju pyesni gjithmonë për emrat e rinj, por unë do të thosha se nuk na interesojnë shumë emrat. Na intereson grupi, duhet të krijohet një grup sa më i fortë, sa më i mirë dhe them se po krijohet.

Grupi dhe kompleksi i ri në Arbanë për mua janë shërimi i Dinamos. Me kompleksin e ri, që është baza jonë, dhe me ndërtimin e një skuadre që të bazohet te grupi, kam bindjen se do të kemi sukses. Do të kemi po ashtu disiplinën parësore në klub. Megjithatë, për merkaton mund të them se jemi në kontakte me lojtarë të ndryshëm dhe tani të shohim.

Dy lojtarë për pozicione kyçe në skuadër do të bashkohen me ne në Itali, ku kemi menduar të bëjmë një pjesë të fazës përgatitore dhe gjithashtu të luajmë disa miqësore. Kemi të konfirmuar deri tani Modenën dhe Veronën. Duam të bëjmë më të mirën dhe ju garantoj se Dinamo do të jetë e plotësuar para se të nisë sezonin e ri. Shpresojmë shumë që këtë herë gjithçka të jetë ndryshe, sepse kemi hedhur baza të rëndësishme me kompleksin tonë në Arbanë, ndërsa ekipi do të bëhet”, ka theksuar presidenti i bluve, Bardhi.

Dinamo do të zhvillojë disa ndeshje miqësore edhe në Pogradec, me kundërshtarë nga Superiorja apo Kategoria e Parë. Gjatë kësaj kohe pritet që grupi i futbollistëve të rritë formën dhe do të plotësohet me ndonjë element të ri. Gazeta mëson se blutë mund të afrojnë edhe ndonjë lojtar nga skuadrat shqiptare që marrin pjesë në kupat e Europës. Dhe bëhet fjalë për lojtarë që luajnë në mesfushë, por për emrat duhet pritur.