Presidenti i Vllaznisë, Agron Çela, është i qetë dhe i hapur për çdo pyetje. Kjo nuk ka qenë një periudhë e qetë për të. “Më lehtë është të jesh deputet, sesa të projektosh e të nxjerrësh Vllazninë kampione. Njërën e kam të sigurt, do provoj dhe tjetrën. Por do t’iu shpjegoj se përse këto të dyja nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Ai ka dhënë sot një intervistë të zgjeruar për gazetën “Sport Ekspres” ku kryeredaktori i saj Gjergj Stefa e ka pyetur për shumë gjëra dhe ai nuk ka hezituar t’i përgjigjet. Ja intervista e plotë dhënë për këtë gazetë:
– Si është marrëveshja juaj me Bashkinë e Shkodrës dhe cili është statusi juaj në klubin Vllaznia?
– Në datën 7 shkurt kam firmosur një kontratë me Bashkinë e Shkodrës që unë do të jem donator i Klubit Vllaznia në tri vitet e ardhshme. Shpenzimet do të jenë 60 me 40 mes meje dhe Bashkisë, ndërkohë që të ardhurat do të mbesin në klub dhe në fund të kontratës nuk do të kem asnjë mundësi që të fitoj diçka. Janë para të cilat do të shpenzohen pa u kthyer pas.
– Është një histori dashurie apo biznesi?
– Kjo është një marrëveshje e ndërtuar mbi pasionin. E thashë që nuk do të kem asnjë përfitim në fund të bashkëpunimit.
– Kush e administron klubin?
– Klubi ka administratorin e tij, ndërkohë që situatën sportive dhe politikat sportive apo menaxhimin e bëj unë dhe stafi përkatës.
– Në janar u premtua Europa, por ky objektiv nuk u arrit
– Nuk kam thënë asnjëherë, as unë dhe as trajneri, që do të luajmë në Europë. Kemi thënë që do të bëjmë të pamundurën për t’ia dalë. Për fat të keq nuk dolëm në Europë, por besoj se nuk mund të jesh kaq lehtë në Europë kur fillon punën në 7 shkurt, ashtu siç bëmë ne.
– Pse nuk u bë merkato në dimër?
– Unë dhe klubi e kemi nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit në 7 shkurt. Pavarësisht dëshirave që kishim, ne nuk mund t’iu jepnim garanci lojtarëve deri në 31 janar sepse ende nuk ishim vendosur në krye të klubit.
– Pas fitores kundër Skënderbeut dhe Kukësit opinioni kishte shumë besim
– Edhe unë u bëra euforik por trajneri Bushati më tha që kontigjenti që kishim në dispozicion mund të garantonte maksimumin, por jo Europën. I besova Bushatit dhe ashtu doli. Për më tepër më shpjegoi me të drejtë se dy lojtarë, Osmani dhe Semina, që u larguan jo nën administrimin tone, do të na penalizonin në muajt në vijim. Për fat të keq, doli fjala e Bushatit. Kishte të drejtë.
– Pse Lika nuk erdhi në dimër?
– Kam pasur kontakte me Gilmanin por nuk mund t’i bëja ofertë zyrtare duke qenë se nuk isha i përfshirë zyrtarisht në klub. Ju shpjegova që në datën 7 shkurt kam qenë pjesë e klubit.
– Pse vendosët të hynit në klub, ndërkohë që nuk keni përfitime financiare?
– Vllaznia ishte në vështirësi dhe unë mendova të afrohesha. E bëra nga dashamirësia, por jo vetëm. Në tri vitet e ardhshme unë realisht do të punoj që procesi i daljes së aksioneve në treg të realizohet. Është proces i vështirë që ka si faktor kundër dhe legjislacionin. E kuptoj Bashkinë në këtë drejtim. Le të themi që përveç lidhjes shpirtërore unë dua realisht që të ndihmoj dhe veten që në të ardhmen ta privatizoj klubin. Është dhe një investim personal.
– A ishte ndërhyrja në klub një manovër politike?
– Jo, nuk ka qenë e tillë. Unë kam qenë pjesë e donacioneve të Vllaznisë edhe vite më parë. Asokohe vetëm dhuronim para, ndërsa tani ndoshta ka një “dritë jeshile” që në të ardhmen të na njihen aksionet. Nuk është ndërhyrje politike.
– Ju i përkisni forcës së LSI dhe në janar kjo forcë ka qënë aleate me PD-në. Besoni se kjo ka qenë arsyeja kryesore që Bashkia ua la në dorë menaxhimin e klubit?
– Jo, nuk ka qenë përqasja politike. Unë kam qenë gjithnjë aktiv në politikë. Edhe në 2005, kur isha president. Kam qënë mik dhe aktiv në PS e më pas dhe në LSI. Unë dhe kryetari i Bashkisë kemi raporte shumë korrekte me njëri-tjetrin. Jemi miq të mirë dhe raportin që kemi për Vllazninë nuk e ngatërrojmë me politikën. Unë u afrova në fund të vitit të shkuar dhe ata ishin gjithashtu të gatshëm që të bashkëpunonim me biznesin.
– Vazhdon kjo frymë e mirë bashkëpunimi edhe sot, kur kahet politike janë të kundërta?
– Po, mund ta konfirmoni. Vllaznia si klub nuk ka bërë politikë.
-Si janë raportet sot me Bashkinë?
– Shumë reciproke dhe korrekte. Secila kontribuon sipas pjesës në kontratë. Dua ta sqaroj pozicionin politik. Unë kam qenë sekretar i parë i Qarkut Shkodër për LSI-në dhe të gjithë e dinin këtë. Askush në Shkodër nuk është habitur nga kandidimi im. E dinin dhe në momentin që unë mora përsipër riorganizimin e klubit të Vllaznisë. Kështu që, në këtë drejtim, nuk shoh asnjë problem apo mundësi paragjykimi.
– Kur emri juaj doli si kandidat për deputet shumëkush mendoi se po e përdornit klubin për fushatë. Shumë nga rinia e LSI-së ishte në stadium në ndeshjen me Kukësin
– Ju po përmendni një ndeshje ku në stadium kanë qenë 8 mijë vetë. Ata njerëz erdhën të shihnin Vllazninë. Ata u frymëzuan nga fitorja kundër Skënderbeut. Nëse ka pasur të rinj të forcës që përfaqësoj nuk shoh asgjë të keqe. Por sa ishin ata? Ju keni thënë që ajo ndeshje ka pasur më shumë tifozë në stadium sesa kushdo tjetër ndeshje në kampionatin shqiptar. Atë ditë askush nuk ishte votues, të gjithë ishin për Vllazninë. Ne fituam atë ditë dhe unë dëgjoja njerëzit shumë entuziastë. Trajneri Bushati më thonte: “Kujdes sepse nuk kemi ekip të garantojmë vijueshmëri të tillë”. Kështu që nuk besoj se e kemi mbushur stadiumin për politikë, stadiumin e mbush skuadra.
– Ka shumë njerëz në Shkodër që mendojnë se ju po e përdorni klubin?
– Thua…?! Do ndalem pak t’ju shpjegoj se përse kjo nuk po ndodh. E para, nëse do të doja ta përdorja klubin për fushtë do të kisha bërë më shumë në të gjitha drejtimet që ne të ishim në Europë. Kështu, sipas këndvështrimit tuaj do kisha më shumë publicitet, apo jo? Ne luajtëm pastër, tentuam aq mundësi sa kishim. Nuk fituam asnjë ndeshje me “pahir”. Nëse do më interesonte politikisht edhe mund ta provoja. Por futbolli dhe politika nuk duhen ngatërruar.
– A mendoni se fakti që skuadra nuk shkoi në Europë mund të jetë një arsye për të ulur kuotat tuaja në politikë?
– Jo, unë s’i kam ndërtuar bonuset e mia në politikë bashkangjitur skuadrës. Dhe nëse do të kishim dalë kampionë nuk besoj se do të kisha ndonjë votë më shumë.
– Po në këto momente që po flasim, a po bën Vllaznia fushatë?
– Kurrsesi, në asnjë moment.
– Cili është komenti juaj në lidhje me ndeshjet miqësore nëpër disa komuna të Shkodrës?
– Është njësoj sikur t’i thuash skuadrave të mëdha pse shkoni dhe bëni ture miqësore diku gjetkë që ka shumë tifozë. E çfarë do të thotë kjo? Ne shkuam dhe luajtëm me njerëzit, u afruam me njerëzit. Çfarë mendoni ju se votat fitohen duke dërguar një skuadër në një komunë?! Kjo ishte pjesë e strategjisë së klubit për vitin e ardhshëm. Biletat dhe tifozët kanë qenë gjithnjë një investim i madh për ne. Përse mos t’i joshim këta njerëz që të vijnë në stadium, duke iu shkuar ne fillimisht atyre.
– Në Shkodër thonë që nëse doni kuota si politikan duhet të bëni tanimë ndonjë blerje
– Unë dhe trajneri mendojmë të kundërtën. Nëse unë do të kisha blerë sot një lojtar vetëm e vetëm se duhet për fushatë, atëherë ju të parët do më keqgjykonit. Patjetër që ne do të blejmë lojtarë por nuk ka lidhje me fushatën. Fushata mbaron në 23 qershor, Vllaznia vazhdon gjithnjë. Unë nuk mund të marr sot Gilman Likën dhe t’i jap gjithë paratë e sezonit – po marr një shembull hipotetik – vetëm për të kënaqur e për të bindur egon e tifozëve. Unë nuk fitoj vota në këtë mënyrë, unë nuk e përdor Vllazninë në këtë mënyrë. Nëse unë do të jem i suksesshëm te Vllaznia gjithçka do të shihet në sezonin e ardhshëm.
– Sa do të jetë buxheti për sezonin e ardhshëm?
– Trajneri ka kërkuar një buxhet që do të miratohet. Janë të gjithë kushtet që të miratohet.
– Meqë jemi te trajneri, zgjedhja e tij në pankinë dhe brenda politikës çfarë do të thotë për ju?
– Unë dhe Bushati jemi, pikë së pari, miq. Është fat që është edhe trajner. Në kuadrin e mosngatërrimit të futbollit dhe politikës mendoj se edhe nëse do ishte diku tjetër trajner sërish do ishim bashkë aktivë në fushatë. Por për fat ai është dhe trajneri ynë dhe do të jetë kështu gjithnjë.
– Edhe nëse rezultatet nuk ecin?
– Kur drejtoja Vllazninë tre vite më parë kam ndërruar tre trajnerë për 3 sezone. I kam dhënë provat që nuk ndërroj shpesh trajnerë. Do të jetë Bushati.
– Kur do të fillojë ndërtimi i skuadrës?
– Trajneri i ka idetë e qarta për lojtarët dhe për karakteristikat e tyre.
– A ishte Smajli një largim?
– Jo, Smajlin e kam takuar dhe i kam kërkuar që të qëndrojë. I kam bërë të njëjtën ofertë që i ka bërë Flamurtari. Vendosi të largohej. E drejta e tij.
– Ai është idhulli i tifozërisë
– Është një lojtar dhe një djalë korrekt. Por dhe shumë klube nuk mund të pranojnë presione të sensit pozitiv financiar. Ne kemi ofertën tonë dhe ia kemi bërë me dije. Ekziston gjithnjë dikush që paguan më shumë. Megjithatë nuk e shoh situatën alarmante. Për të dhënë një shembull, Skënderbeu që doli kampion sezonin e shkuar praktikisht luajti pa mbrojtës të djathtë sepse të tre shpesh i kishte të dëmtuar. E pra, ata e mbyllën kampionatin që në dhjetor. Pastaj ajo që më habit është fakti që lojtari megjithëse është nën kontratë me ne, nuk ka dalë në stërvitje në skuadër. Çfarë duhet të bëj unë? Ta penalizoj? Ne nuk e bëjmë këtë. Ka folur dhe ka takuar drejtues të skuadrave të tjera. Por ju mediat bëtë “gjëmën” se përse unë konsumova një darkë me Dushkun dhe Ahmatajn. A është serioze që një lojtar të deklarojë akordin e të mos shfaqet në stërvitje? E priftë e mbara.
– Megjithatë, dikush mund të ofrojë më shumë edhe për lojtarë të tjerë?
– Trajneri më ka dhënë garanci që do të ndërtojë një skuadër konkurruese. Jo gjithnjë ai që jep më shumë para për kontratat në fund fiton titullin. Dikush e di që nuk ndodh kështu sepse dhe në Shqipëri ka shembuj të investimeve në para që nuk kthehen në trofe.
– A është e vërtetë që trajneri ju ka kërkuar që e vetmja pistë e huaj që mund të aplikohet është malazeze?
– Po, dhe jam plotësisht dakord. Unë lojtarët malezez nuk i konsideroj të huaj. Ata janë vetëm 30 minuta larg familjes. Kam takime me Zetën dhe klube të tjerë. Po marr përvojë nga ata edhe për sistemin e menaxhimit të klubit, formave të pagesës, premiove dhe motivimit. Vetëm mund të fitojmë nga ata.
– A funksionon Akademia e Vllaznisë? Verën e shkuar nuk u shit asnjë lojtar
– Nëse klubi nuk ka arritur të shesë lojtarë nuk është faji i Akademisë. Ajo funksionon dhe ne këto dy-tre muaj kemi aktivizuar lojtarë të cilët do të jenë gati për sezonin e ardhshëm.
– Ju me siguri ndonjë emër e keni piketuar. Pse nuk e thoni?
– Do ta merrnit për fushatë. Unë nuk bëj fushatë. Kemi menduar disa emra madje kemi kontaktuar me disa. Në momentin e duhur trajneri do t’i bëjë publikë. Besoj se brenda 5 korrikut do të jemi gati në masën 70% të skuadrës.
– Përse opinioni është kaq skeptik?
– Opinioni i tillë është gjithnjë. Më thanë përpara ndeshjes me Teutën që Vllaznia do humbasë, por Vllaznia fitoi. Opinioni atë ditë tha që Vllaznia do humbasë. E përsëris, nëse do të doja ta përdoja këtë moment për fushatë, do të bëja ç’është e mundur brenda dhe jashtë fushës që të shkonim në Europë. Nuk zgjodhëm këtë rrugë.
– A janë përfshirë lojtarët në fushatë?
– Jo, askush dhe asnjë. Madje kam thënë që edhe ata që e ndjejnë të votojnë krah meje të mos përfshihen. Në mitingun e madh të fushatës, ku ishin rreth 2 mijë vetë, në pallatin e sportit nuk kishte asnjë lojtar të Vllaznisë.
– Kishte gjithsesi sportistë
– Erkand Qerimaj që nuk ka asnjë lidhje me futbollin dhe ish-sportistë që ashtu e shohin të arsyeshme për të bërë. Asnjë lojtar kuqeblu nuk ka qenë atë ditë në miting. Asnjë nuk do ta shihni krah meje në fushatë.
– Çfarë do të ndodhë nëse nuk do bëheni deputet, a do të hiqni dorë nga klubi?
– Unë do të jem deputet dhe fantazia ime nuk mund të prodhojë hamendësime që nuk do të ndodhin.
– Por ju nuk lejohet që të jeni edhe president?
– Do të jetë dikush tjetër, por pastaj do të jem patjetër unë. Madje mendoj që Vllaznia dhe futbolli, apo sporti shqiptar, do të fitojnë kësisoj.
– Në çfarë mënyre?
– Duhet rregulluar legjislacioni, iu duhet hapur dritë jeshile investimeve. Do të jem një zë i rëndësishëm në Parlament. Patjetër që do të jem sepse si një nga biznesmenët që kontribuoj në sport kam 20 vite që has probleme me ligjin e privatizimeve në sport. Aty duhet filluar gjithçka.
– Tifozët e Vllaznisë kanë 13 vite që presin për një titull kampion
– Dëshira maksimale është që t’i gëzojmë me titull. Do punojmë shumë për ta bërë këtë.
– E premtoni?
– Unë mund të premtoj që do të jem deputet por nuk mund të premtoj gjëra që varen nga një top i rrumbullakët.
– Por në tri vite duhet ta fitoni një titull, apo jo?
– Këtë e premtoj. Brenda 3 viteve, Vllaznia do të jetë kampione e Shqipërisë. Trajneri më ka garantuar sezonin e ardhshëm që do të jemi në garë deri në javët e fundit dhe pse jo do të fitojmë Kupën. Unë garantoj që skuadra do të jetë në verën e 2014-ës në Kupat e Europës.
– Konkurrenca është e lartë ndërsa lojtarë në qarkullim janë pak. Si është puna e shkodranëve që luajnë jashtë?
– Shumë më paragjykuan kur thashë që ëndrra ime është të luajnë me Vllazninë. Unë jo pa shkak e përmenda fjalën “ëndërr”. Është shumë e vështirë që me rrogat që marrin të jenë pjesë e jona, por ne mund të prodhojmë të tjerë Salihi, Lika, apo Sukaj, Vajushi e Bala. Shkodra i ka mundësitë.
– A do të ketë investime në klubin Vllaznia gjatë këtyre tre viteve?
– Do punohet për aktivitetin, investime në “natyrë” është e vështirë. Megjithatë unë kam marrë “Ok” zyrtar për të ndërtuar një resort në Velipojë, Grand Hotel, aty do punësohen më shumë se 1 mijë vetë dhe do të pushojnë mijëra e mijëra pushues. Aty do të ketë dhe kompleks sportiv, madje edhe një fushë dhe ministadium ku mund të luhet futboll. Patjetër që atë do ta shfrytëzojë Vllaznia. Do të duhen 3-4 vite që të mbarojnë punimet pasi janë rreth 44 mijë metra katrorë ndërtim.
– Thoni vazhdimisht që është dashuri, por, mesa duket, me kosto të madhe
– Nëse me një buxhet të kujdesshëm ndërtojmë një skuadër konkurruese mendoj se do të jemi të detyruar vetëm vitin e parë të shpenzojmë diçka më shumë. Vitet e tjera të ardhurat mund të kompensojnë diçka shpenzimet. Tifozët janë aseti ynë më i madh, pastaj “E drejta TV”, sponsorët që gjithnjë janë dashamirës në qytet me subjektet e tyre, paratë e Kupave të Europës janë një bonus i madh. Le të themi që do përpiqemi të administrojmë dashurinë për Vllazninë me synimin që ta shndërrojmë në një privatizim që patjetër do të dojë kohën e vet.
– Deputeti Çela apo presidenti Çela?
– E kuptoj tendencën, nëse flasim për Vllazninë, atëherë jam njeriu që do të menaxhoj klubin nga pikëpamja sportive dhe mbuloj shumicën e shpenzimeve për tri sezonet e ardhshme.
– Por politika dhe çdo gjë tjetër në Shqipëri janë të pashmangshme
– Askush nuk ka fituar në sport vetëm se ka qenë i përfshirë në politikë dhe anasjelltas. Unë nuk i ngatërrova në asnjë moment në këto muaj. Nëse ikin, vijnë lojtarë apo fitojmë apo humbasim trofe, nuk ka lidhje me politikën. Ka të bëjë me Vllazninë.