Kampionati shqiptar pati një alarm në start dhe mundësi për të pësuar ndryshime rrënjësore në licencimin e ekipeve, por në fakt nuk ndodhi asgjë. Të dhjeta ekipet e Superiores u regjistruan me licencën e FSHF-së për të marrë pjesë.

E teksa sot është afati i hapjes së licencimeve për edicionin pasardhës, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka njoftuar në një takim të gjithë presidentët e ekipeve të Superiores.

Teksa çdo gjë është e vlefshme, si njoftimi, trajnimi dhe diskutimi me presidentët për edicionin pasardhës si për t’i paraprirë gjërave në kohë, dyshimet nuk mungojnë për këtë ftesë të kreut të FSHF-së.

Në këtë mbledhje do të jenë të pranishëm, Ardjan Takaj presidenti i Skënderbeut, Gaz Demi presidenti i Partizanit, Sinan Idrizi administratori i Flamurtarit, Suad Lici administratori i Vllaznisë, Artur Dadaj drejtori sportiv i Luftëtarit, Vladimir Gjici (vëllai i Safet Gjicit si përfaqësues i Kukësit), Pashk Laska presidenti i Laçit, Refik Halili presidenti i Tiranës si dhe Besnik Kapllanaj presidenti i Bylisit.

Dyshimet – Së pari, është trumbetuar dhe njoftuar krijimi i Ligës Profesioniste, e cila ka edhe një president të saj. Ndaj, kjo lëvizje mos është si drejtim i Ligës nga presidenti i FSHF-së?

Së dyti, marrja e masave për sezonin pasardhës do të ishte diçka e zgjuar, po sa korrekte është kur në vitin aktual ka klube me probleme të theksuara financiare dhe të tilla që kanë një edicion pagesash të palikuiduara? A mban përgjegjësi presidenti dhe FSHF-ja për licencimin e tyre dhe për situatën aktuale që po kalon kampionati elitar?

NJOFTIMI:  “Procesi i licencimeve për sezonin 2020-2021 fillon zyrtarisht nesër (sot), me takimin që presidenti i FSHF-së, Armand Duka, do të realizojë me të gjithë presidentët e klubeve të Superiores. Procesi i licencimit dhe rritja e kapaciteteve organizative dhe menaxheriale të klubeve do të jetë fokusi i FSHF-së për sezonin e ardhshëm.

Trajnimet do të mbulojnë të gjitha aspektet organizative të një klubi futbolli, duke u fokusuar në menaxhimin dhe raportimin më të mirë financiar, shfrytëzimin e marketingut dhe marrëdhënieve publike si një mjet për gjenerimin e të ardhurave, rregullimin e të gjitha aspekteve juridike dhe njohjen e të gjitha rregulloreve disiplinore të UEFA-s dhe FIFA-s, sigurinë në stadiume dhe masat e nevojshme për organizimin e ndeshjeve, si dhe shumë elemente të tjera thelbësore për një menaxhim cilësor dhe efikas”, ka njoftuar FSHF”.