Tërbuni u ngjit në Kategorinë e Parë, duke realizuar misionin. Gjon Gjonaj ka mbetur më shumë se i kënaqur me verdiktin final, ndonëse nuk i harron fort kollaj gabimet që ekipi bëri në fazën e parë.
Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, kryebashkiaku dhe njekohesisht edhe presidenti i Terbunit, flet edhe për të ardhmen e ekipit, ndërsa rrëfen dy dëshirat që ka për merkaton.
“Tërbuni nuk pati një ecuri të mirë gjatë fazës së parë, por çdo gjë ndryshoi në të dytën. Falë afrimit të disa futbollistëve cilësorë, që u lidhën më së miri me ekzistuesit, niveli i lojës u rrit. Puna e palodhur e trajnerit Dalipi, drejtorit Gjoni dhe administratorit Marku sollën fryte dhe ne zyrtarisht jemi në Kategorinë e Parë.
Nëse ekipi do të kishte ecur me këto ritme që në start të kampionatit, atëherë do të arrinte të shmangte fazën ‘play off’ dhe do të ngjitej direkt, madje do të kurorëzohej edhe kampion, sikurse ka ndodhur dy vjet më parë. Javën e ardhshme kam vendosur të grumbulloj futbollistët së bashku me drejtuesit.
Do të shtroj një darkë për nder të tyre dhe suksesit që arritën. Ditët në vijim do të bisedojmë kokë për kokë me ta për të parë se kush ka dëshirë të qëndrojë te Tërbuni dhe kush do të largohet me dëshirën e vet.
Të gjithëve u ka mbaruar kontrata, ndaj duhet të lidhim të rejat. Unë si kryetar bashkie dhe njëherësh president i ekipit së bashku me drejtuesit do të ndërtojmë një ekip me lojtarë cilësorë, që të kemi mundësi të jemi në katërshen e parë. Kam dëshirë që në ekip të afrohen lojtarë si Andi Hadroj dhe Taulant Marku.
Këta kanë qenë edhe më parë pjesë e ekipit, por kampionatin që u mbyll kanë luajtur me Bylisin dhe Korabin. Do të hyjmë fuqishëm në merkato dhe do të hedhim sytë edhe në tregun e huaj. Drejtuesit do t’i grumbullojnë lojtarët më datë 1 korrik. Afrimet do të jenë cilësore dhe mbijetesa nuk duhet të diskutohet”, përfundoi numri një i Bashkisë Pukë.