Kamza është në kolaps financiar, por presidenti Naim Qarri nuk pranon të dorëzohet. Edhe dje ai mblodhi skuadrën për të qartësuar disa gjëra pas asaj që ndodhi në ndeshjen me Partizanin, ku shumica e lojtarëve nuk pranuan të luanin prej pagave të padhëna.
Në një bisedë ekskluzive për “Panorama Sport”, Qarri nuk e cilëson bojkot. Ai ndihet i prerë në besë nga bashkia e Kamzës, që sipas tij nuk po e mban premtimin.
Çfarë po ndodh me Kamzën dhe si mund të zgjidhet kjo situatë?
Unë po punoj për të shlyer ekipin. Kam pasur komunikim të vazhdueshëm me futbollistët dhe do të mundohem të shpërndaj dy rroga. Shpresoj që edhe lojtarët të qetësohen pak në këtë situatë pas marrjes së pagave. Aktualisht janë bërë tri rroga pa u dhënë dhe sot (dje) shkova në stërvitje si zakonisht për të takuar futbollistët dhe për t’i motivuar në prag të ndeshjes me Vllazninë.
Si mund ta motivoni skuadrën në një moment të tillë?
U thashë se kemi një ndeshje të vështirë, kështu që pres të bëjnë maksimumin dhe të kualifikohen. Kam qëndruar pak minuta duke u munduar t’i motivoj, pasi duhet ta harrojmë ndeshjen me Partizanin. Kush të jetë në gjendje, të dalë dhe të luajë futboll. Nëse ka që nuk janë në gjendje, të mos stërviten fare.
OK, por sa mund të presin për pagat, në një kohë që u kanë vendosur edhe një ultimatum?
Jo, jo. Nuk bëhet fjalë fare për ultimatume nga lojtarët. Me sinqeritet që asnjë nuk ka bërë këtë hap sa u përket pagesave. Ju e dini që unë kam shumë lojtarë të huaj në skuadër dhe me bindje ju them se janë korrektë. Edhe vetë nuk e kam besuar se do të ishin kaq profesionistë.
Mbi të gjitha janë djem të mrekullueshëm. Sot (dje) kam diskutuar më tepër gjëra teknike për përditshmërinë dhe ndeshjet në vazhdim. Nuk i kemi vënë kushte njëritjetrit. Nuk ka shanse të përsëritet ajo që ndodhi me Partizanin. Mendoj se më tepër ka pasur një fryrje, sepse është interpretuar keq. Për shembull sulmuesi ynë Plaku është i dëmtuar dhe nuk kishte asnjë shans të luante me Partizanin. E njëjta gjë edhe me Masato Fukuin dhe disa të tjerë. Nuk kemi pse të gënjejmë për këtë situatë. Kjo është e vërteta.
A keni pasur ndonjë sinjal nga bashkia pas ndeshjes me Partizanin?
Jam në pritje të bashkisë, sepse më ka garantuar vetë kryetari. Më pati thirrur më 24 dhjetor, duke më thënë se vitin që vjen (2019), do t’i financoj unë të gjithë futbollistët. Në këto kushte, unë menjëherë mblodha skuadrën, duke u thënë se ky është një lajm i mirë. Bashkia më kërkoi edhe pagat e secilit lojtar dhe direkt ne dërguam dokumentacionin dhe kontratat. Gjithçka e kemi dorëzuar në zyrën e kryetarit dhe ramë dakord që do të paguante rrogat për vazhdimësinë.
Filluam më 5 janar dhe duke pritur më kot. Muaji iku, kampionati nisi dhe asnjë sinjal. Më dërguan fjalë se bashkia ka vendosur se nuk do të paguajë më për skuadrën, duke më prerë edhe në besë në këtë situatë. Kamza në këtë moment është braktisur nga bashkia.
Keni një plan se si mund të vazhdoni pa ndihmën e bashkisë?
Tashmë do të bëjmë dokumentacionin gati dhe nëse kryetari nuk pranon, atëherë do të çojmë çështjen në gjykatën administrative. Është një situatë absurde. Unë po hedh lekët e fëmijëve, ndërsa ai nga ana tjetër nuk jep atë që i detyrohet, pikërisht paratë e shtetit. Kjo është e gjithë situata.