Në programin e ri të “Bibiana Ballbé” në “3Cat”, Laporta ndau mendimet e tij për presidencën dhe lidhjen me klubin: “Më pëlqen të jem president i Barçës. Më pëlqen çfarë bëj. Ka shumë njerëz që mund ta bëjnë mirë këtë punë, por unë dua shumë Barçën. Kur ka pasur momente të vështira, kam ndjerë përgjegjësi për ta ndryshuar situatën. Gjithmonë dua që barcelonistët të jenë të lumtur”.

Ai theksoi vlerat e një presidenti: “Duhet të jesh i përgjegjshëm, të thuash të vërtetën, të besosh në interesin e Barçës dhe njerëzve të saj përpara interesave personale”. Përse Barcelona është më shumë se një klub: “Është inkluiziv, pranon të gjitha mendimet dhe ideologjitë. Përfaqëson Katalonjën, por është një klub global. Kjo është madhështia e Barçës”.

Laporta foli edhe për vetveten: “Duhet të kontrolloj temperamentin, jam pasionant. Kur zemërohem, shpërthej shpejt, por nuk mbaj inat. Koordinohem me inteligjencë më të lartë se e imja, dëgjoj opinionet e stafit, familjes dhe bordit”.

Për Messin: “Kemi pasur një marrëdhënie të shkëlqyer për shumë vite. Kur nuk rinovuam kontratën, ky raport u prish pak, më pas e rikuperuam. Shpresojmë t’i bëjmë një nderim të madh, sikurse e meriton”./telesport/