Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, foli me superlativa për sulmuesin e tij, Robert Lewandowski. Nurmi 1 i klubit katalanas, zbuloi se futbollisti polak, kishte ofruar uljen e rrogës së tij, për të rregulluar situatën financiare të skuadrës.

Laporta deklaroi se ky sezon, do të jetë më i miri në karrierë për Lewandowskin.

“E shoh më të motivuar se kurrë. Lewandowski është në formë shumë të mirë fizike dhe duket shumë i emocionuar. Ai është një lojtar i përkushtuar ndaj klubit dhe unë mund t’ju siguroj për këtë.

Kur ai dëgjoi se ne duhej të bënim disa përpjekje në fair-play financiar për të arritur regjistrimin e lojtarëve, ai ofroi uljen e pagës së tij.

E vlerësoj shumë, por i thashë që nuk ishte e nevojshme. Ai është shumë i përkushtuar ndaj klubit dhe është gjithashtu kërkues me ekipin, me veten dhe me paraqitjen e shokëve të skuadrës dhe jam i sigurt se ky do të jetë viti më i mirë i Lewandowskit”, u shpreh Laporta. Lewandowski e ka nisur shumë mirë sezonin, teksa në katër ndeshjet e para, numëron katër gola të shënuar.