Dy fitoret radhazi, kundër Kastriotit dhe Laçit, kanë risjellë njëherazi entuziazmin te Vllaznia. Kuqeblutë duket se kanë lënë pas zhgënjimet e fillimsezonit dhe tashmë duken në rrugën e mbarë.

Por, kampionati sa vijon dhe vështirësohet me kalendarin që do të ngjishet shumë. Vllaznia do të ketë dy përballje shumë të forta në ditët e ardhshme.

Si fillim shkodranët do të luajnë në transfertë kundër Teutës, të premten e 3 dhjetorit, e më pas të mërkurën do të presin Partizanin në Shkodër.

Për të motivuar skuadrën, presidenca dhe drejtuesit e saj kanë vendosur premio. “Panorama Sport” ka mësuar nga burime pranë klubit se në rast se Vllaznia do të arrijë të marrë dy fitore, në dy ndeshjet e ardhshme, do të ketë një premio prej 5000 eurosh.

Një motivim ekstra për të gjithë futbollistët. Duke parë edhe rëndësinë dhe vështirësinë e dy ndeshjeve të ardhshme, drejtuesit kuqeblu duan të mbajnë sa më lart moralin e skuadrës.