Skënderbeu ka firmosur zyrtarisht në merkato me Erlis Frashërin dhe mesfushorin Ramin Alii. Ditën e sotme krah trajnerit Memelli që të dy lojtarët janë prezantuar zyrtarisht dhe kanë folur për mediat për këtë aventurë të re me skuadrën korçare.
Si Alii ashtu edhe Frashëri u shprehen se kanë firmosur kontrata dhe i ka bindur projekti i klubit për pranuar ofertën. Mbrojtësi dhe mesfushori deklaruan gjithashtu se do të bëjnë maksimumin për të arritur objektivat e skuadrës korçare.
Ramin Alii:
“Unë kam qenë te të rinjtë e Shkëndijës dhe më pas te klubi i Shkupit ku kam luajtur edhe disa ndeshje. Tani mendoj se për të ardhmen time më të mirë është të firmos për Skënderbeu dhe shpresoj të eci mirë”.
Kontrata? “Kam nënshkruar kontratë dy vjeçare dhe pastaj të shohim në plus një”.
Pozicioni në fushë? “Unë luaj mesfushor, me këmbën e majtë, në të gjithë pozicionet e mesfushës”.
Çfarë iu bindi? “Projekti. Kemi parë se luajnë me lojtarë të rinj dhe mendoj se mund të bëj diçka këtu”, u shpreh Alii.
Erlis Frashëri:
“Rikthim pas shumë vitesh te Skënderbeu, erdha te shtëpia ime te qyteti im i dashur. Ne e dimë se Skënderbeu është një ekip i madh në Shqipëri. Erdha të jap më të mirën time dhe ta çojmë Skënderbeun sa më lartë”.
Kontrata me Skënderbeun? “Kontrata ime është folur edhe me presidentin, kemi folur edhe gojarisht, është afatgjatë dhe shpresoj të jap maksimumin tim”.
Skuadra? “Që ditën e parë jam ambientuar shumë mirë me ekipin. Shoh djem të rinj që luajnë me shpirt. Kam parë një staf shumë të përkushtuar bashkë me presidentin dhe shpresoj të arrijmë qëllimin të jemi sa më lartë”.
Objektivi? “Nuk mund të them se Skënderbeu do të jetë për mbijetesë, në i dimë vlerat e ekipit dhe të lojtarëve që kemi dhe do të japim maksimumin”, u shpreh Frashëri./newsport/