Prilli konsiderohet si muaji vendimtar sa u përket ekipeve që kanë pretendime në kampionat. Kështu mund të thuhet, pasi janë javët e fundit të sezonit dhe shumë skuadra nuk kanë arritur ende asgjë, siç është edhe ky kampionat i këtij viti në elitën e futbollit shqiptar.

Një nga skuadrat që nuk ka asgjë të qartë se si do të shkojë ky sezon është edhe Vllaznia, e cila ndodhet mes dy zjarresh, për fitimin e Kupës së Shqipërisë, por njëkohësisht ka ende shpresa për një vend në Europë nga kampionati. Megjithatë, për ta, muaji prill nuk ka nisur ashtu siç, pasi dolën në një barazim 0-0 nga sfida me Bylisin. Mirëpo, kuqeblutë kanë mundësi rikuperimi rrugës.

Rezultatet e Vllaznisë në Superiore përgjatë ndeshjeve të muajit prill kanë pasur luhatje të mëdha nga sezoni në sezon. Në vetëm dy sezone, pikërisht në 2014-tën dhe 2021-shin, prilli ka qenë një muaj i suksesshëm për ekipin kuqeblu, por në sezonet e tjera nuk ka rezultuar i tillë.

Kështu, më dobët përgjatë këtij muaji, skuadra e Vllaznisë ka qenë në sezonin 2017, ku koleksionoi vetëm dy pikë. Në 2020-tën, gjatë këtij muaji nuk u luajt futboll, për shkak se vendi ishte kapluar nga pandemia e COVID-it dhe kampionati u shty për në verë.

Dobët skuadra ka qenë edhe në prill të 2016-tës dhe 2013-tës, kur ekipi koleksionoi përgjatë këtij muaji përkatësisht vetëm tre pikë. Ndërkohë, në 2019-tën, skuadra në tre ndeshje koleksionoi gjashtë pikë dhe në 2015-tën katër pikë.

Vitet pozitive për këtë muaj mund të cilësohen ato të 2014-tës dhe 2021-shit, ku ekipi i Vllaznisë arriti të grumbullojë plot 12 dhe 11-pikë. Këtë sezon, skuadra e Vllaznisë ka në program të luajë edhe katër takime të tjera, pra në lojë janë plot edhe 12-pikë dhe mbetet për t’u parë nëse ky muaj do të jetë me rezultate negative apo do të marrin pikë të nevojshme për të arritur edhe objektivat e tyre në fund të sezonit. /Maringlen ZHIVANI/

2022: Një fitore, tre barazime dhe një humbje – Gjashtë pikë

2021: Dy barazime, tre fitore dhe një humbje – 11 pikë

2020: S’ka

2019: Dy fitore, një humbje – Gjashtë pikë

2018: Dy fitore dhe dy humbje – Gjashtë pikë

2017: Dy barazime dhe një humbje – Dy pikë

2016: Katër humbje dhe një fitore – Tre pikë

2015: Një fitore, dy humbje dhe një barazim – Katër pikë

2014: Katër fitore dhe një humbje – 12 pikë

2013: Tre humbje dhe një fitore – Tre pikë