Kishte kohë që nga ai pritej të kthehej në formën dhe lojën e tij më të mirë, e duket se ndeshja ndaj Egnatias ishte momenti i duhur që të shfaqte aftësitë e tij. Fjala është për Sherif Kallakun, mesfushorin e Vllaznisë që në takimin ndaj rrogozhinasve shkëlqeu. Duke qenë futbollisti më i mirë në fushë për të dy skuadrat e duke merituar edhe çmimin si lojtari i ndeshjes në përfundim të 90 minutave. Por, jo vetëm goli i shënuar në minutën e 43-të që ishte spektakolar nga mënyra e ekzekutimit ranë në sy nga ana e 27-vjeçarit.
Pasi edhe loja e prodhuar nga fushëkrujasi ishte në nivelin e duhur. Ku thuajse çdo top në mesfushën e kuqebluve kalonte nga këmbët e numrit 10-të. E çdo aksion i rrezikshëm i skuadrës së Martinit erdhi nga fantazia dhe klasi i Kallakut. I cili duket se tashmë ka arritur formën optimale pas një starti të ngadaltë të kampionatit. Kjo edhe për faktin se iu bashkua shumë vonë dhe thuajse në fundin e merkatos ekipit shkodran. Duke mos pasur ritmin dhe formën më të mirë sportive, pasi cilësitë nuk diskutohen për ish-futbollistin e Teutës.
Cilësi dhe aftësi për të cilat këmbënguli gjatë gjithë verës Vllaznia për t’a afruar në gjirin e saj Kallakun. I cili po ashtu ishte një “fiksim” i trajnerit Martini, kjo edhe nga bashkëpunimi i tyre i suksesshëm në të shkuarën tek skuadra e Teutës. Tashmë duket se loja e kuqebluve “diktohet” nga këmbët e Kallakut, që po shndërrohet në një nga futbollistët më të rëndësishëm të formacionit shkodran. Ku edhe me golin ndaj Egnatias në barazimin e fundit 2-2, në kuadër të javës së 10-të të Superiores, ai u bë po ashtu lojtari i 10-të që gjen golin tek Vllaznia deri në këto momente të sezonit.
Ku më parë kishin gjetur rrjetën për 9 herë kampionët e vendit edhe Balaj, Jago, Mala, Kastrati, Bismark, Gurishta, Hakaj, Bajrami dhe Murataj.
✍️ Shkruar nga: Nderim Goci
Data e publikimit: [04/11/2025]
️Burimi: “Shkodra Sport”







