Kjo javë pritet që të sjellë të reja tek eki pi i Vllaznisë. Drejtuesit e saj kanë premtuar se do ta nxjerrin skuadrën në stërvitje, pavarësisht se ende nuk kanë zgjidhur çështjen e numrit një të pankinës. Drejtuesit e klubit, me sa duket, kërkojnë që të rrisin besimin te të gjithë se Vllaznia do të ndërtohet në mënyrë serioze dhe iniciativa për të nxjerrë në stërvitje një skuadër të përgjysmuar tregon më së miri një gjë të tillë.
Në këtë fillim të sezonit të ri, ditët e para të përgatitjeve mësohet se do t’i drejtojnë dyshja e zëvendëstrajnerëve, Safet Osja e Ideal Lekiqi. Do të jenë pikërisht këto dy që do të përgatisin planin stërvitor për pjesën aktuale të ekipit deri në caktimin e trajnerit.
EKIPI
Megjithëse bëhet fjalë për të nisur nga puna, ende nuk ka një datë fikse se kur do të zbresë Vllaznia në stërvitje për edicionin e ri në të cilin rikthehet në Superiore. Megjithatë, në stërvitjen e parë pritet që të jenë të pranishëm lojtarët që momentalisht kanë një kontratë me këtë skuadër. Sherri, Krymi, Gurishta, Kruja, Zogaj, Pusi, Palushani, Dajan Shehi e Herald Marku bashkë edhe me Renato Malotën që pritet që t’i bashkohet grupit, do të jenë të parët nën urdhrat e dyshes Osja-Lekiqi.
Ndërsa me ekipin pritet që të jenë edhe të rinjtë Qarri, Lekaj, Repaj e Mali. Por nuk përjashtohet mundësi që këtyre emrave t’u shtohet edhe ndonjë emër tjetër nga grupi i ekipit të 19-vjeçarëve të akademisë Vllaznia. Kjo listë futbollistësh është konfirmuar disa ditë më parë nga vetë administrator Lici.
PËRFORCIMET
Java pritet që të nisë me një rikonfirmim të mbrojtësit Renato Malota. Ai pritet që të firmosë një kontratë edhe për një vit tjetër me kuqeblutë. Ndërsa nga burime pranë klubit mësohet se në listë pas tij mund të jenë edhe shkodranët që janë aktivizuar në ekipet e tjera të vendit.
Pritet që Hysenaj, Pjeshka apo edhe Nika të jenë në listën e lojtarëve që mund të veshin fanellën kuqeblu me të nisur procesi stërvitor. Po ashtu është përfolur shumë se gjatë kësaj jave priten që në Shkodër do të vijnë për të firmosur edhe treshja braziliane. Silvio Zhunior pritet që të rinovojë edhe për një vit tjetër, ndërsa po qarkullojnë informacione edhe për një qendërmbrojtës dhe një lojtar gjysmësulmues.
Me sa duket, Vllaznia do që këtë javë të nisë formimin e saj. Duke pritur më pas atë që mund të sjellë rastësia për ndonjë afrim cilësor dhe me vend, por trajneri do të jetë i fundit që do të emërohet në këtë klub. Fjalët e përhapura se mund të jetë një emër i huaj, duken më afër realitetit dhe priten zhvillimet konkrete gjatë ditëve në vazhdim.