Bylisi barazoi me Tiranën në një ndeshje ku sërish nga ana e ballshiotëve pati pretendime për një penallti të padhënë në të 13-tën minutë kur Erjon Hoxhallari e ndali topin me dorën e djathtë hapur në zonë dhe rezultati në ato momente ishte 0-0.
Por ajo që shqetëson më shumë në kampin ballshiot në këto momente janë problemet për shkak të mungesave të lojtarëve titullarë nga dëmtimet. Në mbrojtje Stojanoviç e Preka në qendër mbetet për t’u parë nëse do të jenë ndaj Teutës në fundjavë apo jo.
Po ashtu edhe Kojiç që u dëmtua në seancën e fundit para Tiranës, ndërkohë qe tashmë shqetësim mbetet edhe një nga më të mirët e Bylisit këtë sezon, Edison Ndreca. anësori i majtë që është edhe një nga shënuesit më të mirë të Bylisit këtë sezon dhe një nga lojtarët më në formë, e la përgjysmë ndeshjen me Tiranën për shkak të problemit në gju.
Pritet që të shihet vetëm sot situata me të katër të dëmtuarit, nëse do ta nisin stërvitjen me pjesën tjetër të skuadrës në përgatitjet anti-Teuta.
Sikur të mos mjaftojnë katër lojtarët e sipërpërmendur janë edhe kartonët që nuk po i ndahen skuadrës mallakastriote. Është nigeriani Ntepe Frank, një nga titullarët dhe lojtarët e spikatur të Bylisit që ka plotësuar numrin katër të kartonëve dhe nuk do të jetë për sfidën e radhës në Durrës.
Kjo është e vetmja mungesë e sigurtë deri më tani për sfidën e Durrësit, ndërsa mbetet për t’u parë gjendja e lojtarëve të dëmtuar…
Kanë mbetur edhe pesë javë, ndërsa në ndeshjet e fundit janë afruar lojtarët titullarë të skuadrës U-21, si: Maçolli, Muçollari apo dhe Ruçi e Trumçi, lojtarë mjaft cilësorë dhe me të ardhme të sigurtë./vipsport/