Bajerni, me sytë nga Spanja. Sipas një kanali radioje (“RAC 1”), kampionët e Gjermanisë kanë si qëllim tre lojtarë të skuadrës së Barcelonës. Këta lojtarë janë spikatur nga Hasan Salihamixhiç, i cili kërkon t’i sjellë në Mynih për të plotësuar skuadrën bavareze para startit të sezonit.
Serzhinjo Dest, Serxhi Roberto dhe Emerson Rojal janë tre lojtarët në listën e Brazos. Gjithsesi vetëm një nga këta do të vinte në Mynih, teksa Julian Nagelsman ka kërkuar një mbrojtës të djathtë.
Kriza financiare e katalanasve mund të bëjë që klubi spanjoll të lërë të lirë një nga tre lojtarët. Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse klubi gjerman do t’ia plotësojë dëshirën trajnerit të ri.
“Bild” shkruan që pas blerjes së Dajot Upamekano, Salihamixhiç nuk ka ndërmend të shpenzojë sërish para për një lojtar në repartin difensiv.
Më parë skuadra duhet të shesë për të sjellë para në buxhetin e prekur nga pandemia. Gjithashtu është për t’u parë se çfarë do të ndodhë me lojtarët e moshave, të cilët janë të shumtë në skuadrën e parë. Ata duhet të sistemohen në skuadra të tjera në formë huazimi, për të grumbulluar eksperiencën e duhur.
Bajerni është vetëm pak javë nga starti i kampionatit gjerman dhe Nagelsman kërkon të ketë një skuadër të kompletuar në të gjitha repartet për të përballuar në mënyrën më të mirë një sezon që parashikohet të jetë i vështirë për trajnerin e ri.
Konkurrenca në Bundesligë do të jetë e ashpër me rivalë të shumtë për titull, edhe pse bavarezët mbeten favoritë për të fituar për të 10-ën herë titullin kampion në Gjermani.
Një objektiv që është konfirmuar dhe nga vetë tekniku 33- vjeçar, i cili kërkon titullin e tij të parë si trajner. Vjet ai i shkoi afër me Lajpcigun, por në fund iu desh të dorëzohej përballë Bajernit të Hansi Flik, i cili siguroi titullin e 31-të në historinë e klubit.