Skuadra e Partizanit ka zhvilluar shumë ndeshje të luftuara në një kalendar të ngjeshur, për shkak të pandemisë, fillimit me vonesë të sezonit dhe ndeshjeve të kombëtareve. Ata që e kanë vuajtur më shumë këtë ngarkesë, kanë qenë vetë futbollistët, të cilët herë pas here kanë shfaqur probleme fizike.
Edhe te Partizani kanë qenë disa futbollistë që kanë vuajtur nga ngarkesa. Pak ditë më parë, ishte Stenio Zhunior ai që kishte një tërheqje, duke munguar në sfidën ndaj Teutës në transfertë. Ndërsa, së fundmi, edhe mesfushori Murataj ka pësuar tërheqje. Mesfushori ka ndier shqetësime në kofshë nga ngarkesa e madhe dhe është në dyshim për duelin e titullit ndaj shkodranëve. Përveç problemeve në sulm, Dajës do t’i duhet të mendojë për zëvendësues edhe në mesfushë.
ALTERNATIVAT – Në rast se Zhunior dhe Murataj nuk ia dalin, atëherë Daja ka disa alternativa për t’i zëvendësuar, por normalisht kualiteti bie disi. E sidomos para një finaleje si kjo kundër Vllaznisë, mbetet për t’u parë se si strategu 54-vjeçar do të ndërtojë ekipin e tij. Në vend të Muratajt, mund të aktivizohet Kote, por ky i fundit para mbrojtjes, me Brojën që spostohet si mesfushor organizativ së bashku me Bardhin.
Ndërsa në vend të Stenio Zhuniorit mund të luajë sërish Lukas Kardozo, i cili e nisi titullar përballë Teutës në Durrës. Sa i takon mungesës së Jasir Asanit për shkak pezullimi, Daja mund t’i besojë nga minuta e parë Ferhan Hasanit ose të riut Tedi Cara, që e ka si rol natyral. Por, mundësitë më të mëdha janë që Hasani të luajë majtas e Çinari të zhvendoset si sulmues i djathtë.
RASTËSIA – Koincidencë është fakti se Zhunior dhe Murataj janë dëmtuar të dy njëkohësisht edhe disa javë më parë. Mesfushori 24-vjeçar ia doli të rikuperohej më shpejt se sulmuesi brazilian, i cili po ashtu iu desh të kalonte COVID-19.
Edhe kësaj radhe, të dy futbollistët e brazilianit janë dëmtuar njëkohësisht, ndërsa trajneri Daja, shpreson shumë që t’i ketë të gatshëm për duelin e titullit përballë Vllaznisë. Sfida mes Partizanit dhe Vllaznisë, do të luhet nesër në orën 17:00, në stadiumin “Air Albania”.