Një ceremoni e shkurtër para stërvitjes së djeshme ka shërbyer për të çtensionuar disi situatën. Shkak ka qenë vlerësimi i Stefano Piolit për 200 ndeshjet si trajner i Milanit, teksa administratori Furlani i ka kërkuar titullin për të festuar në mënyrën më të mirë. Ndërkohë, vetë 58-vjeçari e ka komentuar edhe në një intervistë ku ka folur edhe për zgjedhjet e formacionit që mund të përfshijë në momente të fundit Loftus-Çikun, por edhe Kalulunë në vend të Çaut.
Si ndiheni për këtë arritje, e cila ju vendos në një plan me ikona si Roko, Liedhol, Kapelo e Ançeloti?
Pa diskutim është një privilegj dhe motiv krenarie. Kur mbërrita kisha shumë dëshirë për të treguar vlerat dhe punën time, ndërsa tani jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij klubi legjendar. Nuk do ta kisha arritur këtë objektiv pa mbështetjen e klubit dhe pa cilësitë morale, profesionale dhe teknike të të gjithë njerëzve me të cilët punoj çdo ditë.
Ky objektiv u arrit ndaj PSG-së, por u shoqërua me humbje…
Më vjen shumë keq. Të gjithë do të kishim dashur një rezultat ndryshe. Ndeshjen e nisëm sipas planit dhe me situatën e parë rivali na ndëshkoi. Duhet të shmangnim golin e dytë, i cili ishte ai që na preu këmbët, por me siguri që kemi mundësi të paraqitemi më mirë.
Mbase shkaku kryesor është mungesa e golit?
Është fakt që shënojmë pak, por rastet i kemi krijuar gjithmonë. Si ndaj PSG-së ashtu edhe në ndeshjet e tjera. Në Paris gjetëm një rival agresiv që ushtronte shumë presion, por mund të them se pjesa jonë e parë atje ishte me nivel.
Sigurisht edhe dëmtimet nuk ndihmojnë. Si e shpjegoni që ka kaq shumë?
Mungesat janë problem, por momenti që po kalojmë është i tillë e duhet përballuar me ata që janë të disponueshëm. Duhet të reagojmë ndaj Napolit, ndaj këto ditë jemi munduar të kuptojmë gabimet tona në mënyrë që të dielën të ofrojmë një paraqitje niveli.
Çfarë prisni nga skuadra në “Maradona”?
Që të luajmë siç dimë dhe siç po përgatitemi. Përballë do të kemi një rival që e ka kaluar momentin e vështirë dhe përveç lojës ka gjetur edhe rezultatet. Janë kampionë në fuqi dhe një rival direkt, ndaj synojmë të arrijmë një rezultat pozitiv.