Më 17 maj të këtij viti, kur sapo kishte vendosur të largonte nga drejtimi i skuadrës Julian Ahmatajn, ish-presidenti i Luftëtarit, Grigor Tavo, paralajmëronte ekskluzivisht për “Panorama Sport” se e ardhmja e trajnerit do të ishte Tirana.

Ky parashikim i Tavos, edhe pse zgjati në kohë, u realizua pikërisht dje, kur elbasanasi u zyrtarizua në krye të pankinës bardheblu.

Që prej muajit korrik, kur edhe njoftoi dorëheqjen si president i Luftëtarit, Tavo nuk është parë më në stadiumet shqiptare. Natyrisht, ai nuk është më drejtues i Luftëtarit, paçka se një pjesë të aksioneve të klubit figurojnë ende në emër të djalit të tij. Gjithsesi, i kontaktuar dje nga gazeta, ish-presidenti bluzi pranoi të fliste për atë që kishte parashikuar në lidhje me Ahmatajn. “Unë nuk jam profet, por sigurisht që kam informacionet e mia.

Ndoshta kjo lëvizje e Tiranës ishte pak e vonuar edhe për fajin tim, sepse e paralajmërova pa u mbyllur kampionati. Por, shërbimet shpërblehen një ditë. I uroj suksese Ahmatajt dhe Tiranës”, deklaroi fillimisht ish-presidenti i Luftëtarit.

“Nuk flas kot” – I pyetur për detaje të tjera lidhur me dyshimet që kishte për ndeshjen e kthimit të Kupës së Shqipërisë, ku Tirana mposhti në gjysmëfinale Luftëtarin 5-3 dhe pak ditë pas eliminimit Tavo shkarkoi trajnerin Ahmataj dhe pezulloi lojtarët Xhekson Ferreira dhe Albano Aleksi, Tavo u shpreh: “Shikoni, kur fola atëherë u bëra disi pengesë për faktin se do të ishte bërë më shpejt emërimi i Ahmatajt te Tirana.