E kishim ndjekur nga larg ecurinë dhe karrierën e saj dhe mbase nuk i kemi kushtuar asnjëherë vëmendjen e duhur. Ma riktheu në kujtesë dhe mbase më shtyu të shkruaj diçka për të, një kolege e saj- Rita Hasku. Punojnë sëbashku për të rritur dëshirën e vajzave lezhjane për volejbollin dhe vetë Rita na surprizoi me fjalët që na tha për këtë personazh.

E kjo na bëri të shkojmë më tej, të mundohemi të ndërtojmë profilin e saj dhe sigurisht që mbase edhe jemi befasuar nga ajo çfarë kemi mësuar. Një figurë shumë pozitive e cila i bën nder jo vetëm Lezhës, qytetit ku ajo jeton prej 10 vitesh. Një sportiste kampione, trajnere e aftë, një specialiste shumë e zonja të cilës jo më kot i është besuar edhe posti i zëvendëspresidentes të Federatës Shqiptare të Volejbollit. Dhe së fundi, një pedagode që dëshiron të transmetojë shumë gjëra pozitive tek brezi i ardhshëm.

E kemi fjalën për Gentiana Nicajn (Qose), një figurë që ndoshta duhet ta konsiderojmë një personalitet të Lezhës dhe jo vetëm. Prej disa ditësh po matem të bëj një profil të saj dhe për koincidencë e mbylla sot, një ditë që përkon edhe me përvjetorin e saj të 37-të të lindjes dhe me këtë rast, në emër edhe të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtur!

Genta, kështu i pëlqen ta thërrasin, nuk ka dëshirë asnjëherë të jetë protagoniste. Të shfaqet në media, apo të marrë merita. Dëshiron të ndjekë pasionin e saj të madh, volejbollin dhe mësimdhënien dhe kaq. Mbase duhet të jenë institucionet e tjera që duhet ta thërrasin e ta dëgjojnë. Të marrin këshilla apo sugjerime prej saj. Por zakonisht kjo nuk ndodh sepse këto institucione “nuk kanë nevojë” për të tilla gjëra.

Por tjetër gjë që na bëri përshtypje tek ajo, ishte dashuria për të dhënë kontributin e saj për Shqipërinë. Ka patur mundësi të jetojë jashtë sepse shkollimin e ka bërë në Itali, e po ashtu për disa kohë ka jetuar edhe në Amerikë, por në fund të fundit, ka zgjedhur të rikthehet sepse më mirë se këtu ajo e kupton që nuk mund të ndjehet në asnjë vend tjetër. Kjo e bën mbase edhe më të veçantë këtë personazh që në këtë kohë kur shumëkush dëshiron të lërë vendin e të largohet, ajo “ngul rrënjë” këtu dhe për më tepër në një qytet të vogël si Lezha, por për të bërë gjëra të mëdha.


Karriera si sportiste

E ka nisur sportin e volejbollit në vitin 1998 dhe trajnerët e saj të parë ishin dy prindërit, Leonidha dhe Vjollca Qose. Më pas, në vitet 2000-2004 do të luante me ekipin e parë të Krutjes, ku do të kishte për trajnerë emra të njohur të këtij sporti si Josif Gjermeni dhe Llazar Llupo. Gjatë kësaj periudhe, pikërisht në vitin 2003 si lojtare e ekipit kombëtar të të rejave do të zinte vendin e tretë në Kampionatin Ballkanik që u zhvillua në Durrës, ku trajner kishin të mirënjohurin Kreshnik Tartari.

Në sezonin 2004-2005 do të luante me ekipin e Studentit me trajner Altin Martirin, ku do të fitonte titullin kampion, Kupën e Shqipërisë dhe Kupën e Federatës.

Në sezonet 2005-2007 do të luante me ekipin UMB, në sezonin 2007-2008 do të ishte lojtare e ekipit të Tiranës me trajner Adrian Gorencën, dhe me këtë ekip po ashtu do të shpallej kampione e Shqipërisë, fituese e Kupës së Shqipërisë dhe fituese e Kupës së Federatës. Karriera e saj do të vazhdonte në sezonin 2009-2010 me ekipin e Minatorit të Rrëshenit dhe në sezonin 2010-2011 do të ishte sërish pjesë e ekipit UMB të drejtuar nga trajneri Kreshnik Tartari me të cilin zunë vendin e dytë në kampionat.

Ky do të ishte i fundit i karrierës për Gentiana Qosen e cila ndërkohë ka marrë pjesë rregullisht gjatë karrierës së saj edhe në turnetë e ndryshme të beach-volley të zhvilluara në vendin tonë, në kampionate kombëtare por edhe Ballkaniada duke formuar dyshen bashkë me të motrën- Albën dhe madje në vitin 2007 të dyja sëbashku kanë fituar turneu Kombëtar që u zhvillua në Sarandë.


Karriera si trajnere:

E ka nisur që në vitin 2014. Thjesht nga pasioni për të mos u larguar nga volejbolli, dashuria e saj e madhe dhe po ashtu, edhe për të dhënë eksperiencën e saj tek vajzat e reja lezhjane dhe për të rritur tek ata dashurinë për këtë sport. E nisi duke patur patur përkrah një pasionante të madhe të këtij sporti, Rita Haskun dhe të dyja sëbashku vazhdojnë të punojnë çdo ditë për të masivizuar sa më shumë këtë sport.

E kanë nisur me pak vajza dhe sot kanë në stërvitje rreth 90 të tilla, duke krijuar edhe ekipet U14, U16, U18 dhe U20. Rezultatet dalëngadalë po vijnë dhe vitin e kaluar me ekipin U18 kanë shkuar deri në 4-she. Profesoreshë Genta më shumë është e përqendruar jo tek puna në stërvitje, por tek kontakti me të gjitha shkollat e Lezhës, për të përzgjedhur vajzat më të talentuara dhe për ta shtuar numrin e atyre që duan të merren me këtë sport.

Nëse sot numri është 90, me siguri që nga kjo punë e cila po bëhet, ai numër do të vijë gjithnjë duke u rritur. E për këtë një ndihmë të madhe po jep edhe Bashkia Lezhë e cila vitet e fundit i ka kthyer sytë edhe drejt shumësportëshit. Dhe për volejbollin ka dhënë një mbështetje të konsiderueshme, duke u mundësuar këtyre vajzave pjesmarrjen në kampionat, udhëtimet, dietat etj. Dhe me shpresën se shumë shpejt Lezha do ketë edhe një pallat të ri sporti, padyshim që ambicja e dyshes Hasku- Nicaj është për ta çuar sa më lart edhe sportin e volejbollit.


Karriera akademike

Ka kryer studimet e larta në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi” në Tiranë në vitin 2008 dhe më pas ka përfunduar edhe masterin në Universitetin Foro Italico (Rome) në vitet 2008-2010.
Në vitin 2009 fillon të japë mësim në një nga shkollat 9 vjeçare të Lezhës, ndërsa nga vitet 2011 dhe deri në vitin 2017 ka qenë lektore e jashtme në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës dhe Universitetin e Sporteve të Tiranës.

Ndërkohë nga dhjetori i vitit 2017 dhe në vazhdim, është lektore me kohë të plotë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, në Fakultetin e Shkencave të Edukimit, Departamenti i Edukimit Fizik dhe Sportit ku jep lëndët “Përgatitja dhe referimi i leksioneve për orët teorike në lëndët “Didaktika e Lojrave Lëvizore”, “Kondicioni Fizik” dhe “Edukimi Lëvizor”.


Funksioni si zëvendëspresidente Federatës Shqiptare të Volejbolliste

Nga viti 2015 Genta është anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Volejbollit, ndërsa prej vitit 2017 mban edhe postin e zëvendëspresidentes të kësaj Federate. Ajo nuk është aty thjesht në një pozicion honorifik, por shumë e angazhuar për ta çuar përpara këtë sport.

Sëbashku me presidentin Erlind Pëllumbi dhe kryesinë e Federatës, janë angazhuar maksimalisht t’i rikthejnë volejbollit popullaritetin që ky sport ka gëzuar historikisht në vendin tonë nëpërmjet organizimit të aktiviteteve sportive kombëtare apo pjesmarrjes në aktivitete ndërkombëtare, si edhe nëpërmjet kurseve të trainimit për të rritur cilësinë e trajnerëve, kryesisht të moshave.

Gjithashtu, një prioritet tjeter po aq i rendesishem i FSHV-së është ta bëjë volejbollin një sport që luhet masivisht tek moshat e reja me anë të projekteve të ndryshme që Federata ndërmerr në bashkëpunim me institucionet vendase si Komiteti Olimpik Kombetar Shqiptar, por edhe me fedaratat e ndryshme si CEV (Federata Europiane e Volejbollit), FIVB ( Federata Nderkombetare e Volejbollit), FIPAV (Federata Italiane e Volejbollit), BVA ( Federata Ballkanike e Volejbollit), TVF (Federata Turke e Volejbollit), etj.

Genta vetë ka qenë kordinatore e kurseve ndërkombëtare dhe kombëtare të trajnimit për trajnerë të organizuar nga FSHV dhe FIVB si kursi FIVB Volleyball Your Way Coaches Level 1 në vitin 2016, ai FIVB Coaches Course Level 1 në vitin 2017 dhe po këtë vit edhe kurs edhe në vitin 2019, ndërsa në vitin 2022 ka marrë pjesë në kursin FSHV 1 (kategoria bazë).

Gjithashtu ka qenë kordinatore e kursit për “match analyst” të ndeshjeve të volejbollit, zhvilluar në Tiranë në korrik të vitit 2021. Njëkohësisht zëvendëspresidentja Nicaj ka qenë edhe kordinatore në projekte dhe festivale me fokus fëmijës, konkretisht në atë të “Minivollej Festival” në Tiranë më 2916, “BVA Kids Festival” në Podgoricë më 2017, “One day more for voleyball” në Tiranë më 2022, “CEV school project”, projekt që ka filluar të nëntor të vitit të kaluar dhe që vazhdon, si dhe ai për Ekipet Sportive Qarku Lezhë që organizohet nga FSHV dhe KOKSH e që do të startojë në shtatorin e ardhshëm dhe që do të vazhdojë më tej.

Familje sportive

Genta lidhjen me sportin e ka patur në gen. I ati, i ndjeri Leonidha, fillimisht është marrë me atletikë dhe më pas volejbollin duke qenë për shumë vite trajner i ekipeve të moshave në Lushnjë. E ëma, Vjollca, është një nga emrat më të spikatur të volejbollit të viteve ’80-’90 kur shpallej kampion me ekipin e Krutjes dhe po ashtu luante edhe me kombëtaren shqiptare. Ndërkohë rrugën e Gentës, do ta ndiqte dhe motra më e vogël- Alba, që do ashtu do të kishte një karrierë të suksesshme si volejbolliste duke u shpallur kampion dhe duke luajtur edhe me kombëtaren.

Por jo vetëm kaq. Protagonistja e këtij shkrimi, edhe njeriun e jetës e ka zgjedhur të fushës së sportit. Rigelsi, përveçse është mësues i edukimit fizik, njëkohësisht prej vitesh është edhe trajner i ekipit të boksit të Besëlidhjes, nga duart e të cilit kanë dalë disa sportistë cilësore, ndër të cilët veçojmë Jurgen Uldedajn. Megjithatë lidhja e Gentiana Nicajt (Qoses) me sportin duket se nuk do të mbyllet këtu. Edhe e bija- Milada, ndonëse vetëm 10 vjeçe, ka nisur të luajë volejboll. Dhe në fakt nuk ka si të ndodhë ndryshe…
Gjergj KOLA