Vllaznia ka mbyllur pasditën e sotme ditën e fundit të përgatitjeve për t’u ndeshur ditën e nesërme me Kastriotin në Elbasan, në orën 14:00, duke shpresuar te një fitore që do t’i mbante në garë për Europën. Natyrisht që, në këtë ndeshje pritet që skuadra shkodrane të marrë një rezultat pozitiv për t’u rikthyer te fitorja, me Vllazninë që ndodhet në një krizë rezultatesh në kampionat, pasi në tre sfidat e fundit ka marrë vetëm një pikë, nuk ka shënuar asnjë gol dhe ka pësuar pesë.

Për këtë duket se po mendon edhe trajneri Goçe Sedloski. Nga sa është shikuar ditën e fundit të përgatitjeve, për përballjen me krutanët, tekniku maqedonas mësohet se ka vendosur edhe për futbollistët që do të hedhë në fushë në këtë ndeshje.

Kështu nisur nga kjo, trajneri Sedloski duket se e ka vendosur përfundimisht se cilëve futbollistë do t’u besojë formacionin për të startuar takimin ndaj Kastriotit. Në portë do të jetë Zogoviç. Në mbrojtje, në mungesë të kapitenit Gurishta të dëmtuar, katërshja e përbërë do të jetë nga Kruja nga e djathta, Juriç e Bulatoviç në qendër dhe nga e majta Hakaj.

Me skemën 4-2-3-1 në mesin e fushës përpara mbrojtjes, pritet që të jetë dyshja Boshnjaku dhe Marku. Pas Bekim Balajt që pritet ta nisë edhe këtë ndeshje si titullar, mendohet që të jetë Çoba në të djathtë, Jonuzi në qendër dhe Latifi nga e majta.

Deri ditën e nesërme, trajneri Goçe Sedloski mund të ketë planifikuar edhe ndonjë lëvizje tjetër, teksa deri atëherë do të ketë vendosur edhe në lidhje me futbollistët do të hedhë në fushën e lojës nga fillimi. Megjithatë, gjasat janë që kjo të jetë 11-shja e tij ditën e nesërme në ndeshjen e javës së 32-të të Abissnet Superiore ndaj krutanëve.

Ndërkohë, Kastrioti-Vllaznia do të luhet pasditën e nesërme në stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 14:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë në kanalet e OverSport në platformën TIBO nën komentin e komentatorit Keivin Sula. /Maringlen ZHIVANI/

Formacioni i Vllaznisë (4-2-3-1): Zogoviç, Kruja, Juriç, Bulatoviç, Hakaj, Boshnjaku, Marku, Çoba, Jonuzi, Latifi, Balaj Tr: Goçe Sedloski