Sot 51 vjeç, me një aktivitet privat, Zamir Bashli (Hox ha), krahas kënaqësisë për të biseduar, por edhe i befasuar nga ajo çfarë i kërkuam, pa hezituar u tregua tejet kavaljer. “Më morën e më dërguan në Degë. I bënë presion babait, por familja jonë nuk pranoi të denonconte. Profesor Faruku e ka derën e hapur te ne”, thotë ai për “Panorama Sport”:

Zamir, si e kujtoni momentin?

Kanë qenë minutat e fundit, Vllaznia-Dinamo dhe topi doli jashtë në fundore. Vllaznia ishte në avantazh 2-1. Si fëmijë, rreth 10-vjeç, kapja topat dhe për ta “ndihmuar” ekipin, duke vonuar lojën e mbajta topin në dorë. Faruku erdhi me vrap, “ma hidh” më tha. Unë e hodha pak larg tij. Ai më goditi me shpullë në fytyrë dhe nga hundët më doli gjak.

Një stadium në këmbë, ju në Degën e Brendshme. Kështu apo jo?

Po, e vërtetë. Ndërsa një polic më shoqëroi, duke kaluar në tribunën qendrore, ku tifozët më panë, shpërthyen në fyerje ndaj Farukut. Mua pa më mjekuar dhe loja e pambaruar, më futën në një mjet policie dhe më dërguan në Degë.

Pse kaq të nxituar?

Donin që të bëja direkt denoncim. Por babai im, Hysen Hoxha, ish-portier erdhi menjëherë dhe kundërshtoi. Ai ishte mik me Stavri Lubonjën, kishte qenë te Partizani në Elbasan si portier. Donin që Farukun ta dënonin.

Pse u dha urdhër që duhej të bëhej me shpejtësi denoncimi?

Ishte Muho Asllani që urdhëroi të bëja denoncimin. Por babai nuk pranoi, duke refuzuar: “Në asnjë mënyrë, – u tha atyre në Degë. – Ky është djali im”. U kthyhem në shtëpi atë natë. Por gjatë atyre ditëve e në vazhdim babait i bënin presion duke e thirrur në Degë që unë të bëja denoncim. Por, isha i vogël dhe ata detyronin babanë si më të madh.


Çfarë ndodhi kur ishit para trupit gjykues?

Kur u bë gjyqi isha bashkë me babanë. Me Farukun familja ime kishte pirë kafe dhe as që bëhej fjalë për denoncime. Në gjyq unë deklarova se për të marrë topin pa dashje më kishte goditur. Ata nuk ishin dakord dhe më çuan në Degë për “dëshmi të rreme”.

Ju kujtohet si vazhdoi?

Kam qenë i vogël, pak kuptoja. Por zhurma ishte e madhe në qytet, deri edhe në shkollë. Unë kam luajtur portier me moshat pastaj me të rinjtë, por “i famshëm” më shumë u bëra në këtë rast se në karrierë.

E keni takuar më pas Farukun?

Vetëm një herë në Pogradec, kur ishte trajner. Ndoshta ai nuk e kujton. Faruku u bë mik i shtëpisë dhe profesori gjithmonë e ka derën e hapur te ne.

Sot, pas kaq kohësh, Sejdini, ju, por edhe Murinjo?

E keni fjalën për rastin e Murinjos me atë fëmijën, pritësin e topave, te Totenhem-Olimpiakos? Shumë bukur, nuk kam fjalë, por mendoj pa shumë lidhje me rastin tonë, apo jo. Ai me Sejdinin ka qenë vetëm një konflikt i çastit.
Nga UVIL ZAJMI