Boksieri 22 vjeçar shkodran Kristian Demaj, ka firmosur një kontratë të re me ekipin meksikan Mexico Guerreros që merr pjesë në Ligën gjysmëprofesioniste ëorld Series Boxing. Kontrata e nënshkruar vlen për gjithë sezonin 2013-2014. Në këtë mënyrë, pas përvojës së parë të sezonit të kaluar, për të do të jetë një tjetër pjesmarrje e rëndësishme në këtë lloj boksi. Lajmin për nënshkrimin e kontratës së re, e ka bërë të ditur për gazetën shkodrasport.com vetë Demaj kur ka thënë: “Ka disa ditë që kam bërë realitet firmosjen e kontratës së re me ekipin Mexico Guerreros.


Sigurisht që ndjehem i vlerësuar ngaqë drejtuesit e këtij ekipi, i vlerësuan paraqitjet e mia sezonin e kaluar dhe prandaj më ofruan kontratën e re. Natyrisht që unë premtoj të bëj më mirën në këtë sezon për të nderuar veten por edhe për të respektuar klubin që unë do përfaqësoj”. Për sezonin e ri që sapo ka nisur, ka pasur disa ndryshime në pesha dhe kësisoj Kristian Demaj do të konkurrojë në peshën 91 kg teksa do të zhvillojë 5 ndeshje brenda fazës së parë të sezonit dhe nëse Mexico Guerreros fiton të drejtën për të vazhduar më tej në këtë Ligë, natyrisht që do të ketë edhe ndeshje të tjera për të. Aktualisht Demaj është duke u stërvitur në Shkodër në palestrën e Jetmir Kuçit dhe kur vjen periudha e ndeshjeve pastaj ai shkon në Meksikë për t’u bashkuar me ekipin apo dhe në vende të tjera të botës ku do zhvillohen ndeshjet e rradhës. E rëndësishme është që Shqipëria përfaqësohet me një sportist të sajin në këtë Ligë shumë të rëndësishme ku marrin pjesë 12 ekipe nga e mbarë bota dhe ky është Kristian Demaj.
Gjergj KOLA