Ecuri e shkëlqyer e Vllaznisë në kampionatin e sivjetëm të meshkujve. Ajo ka arritur pasditen e sotme edhe fitoren e tetë rradhazi në po aq ndeshje të luajtura. Sonte ka qenë rradha e Tiranës për t’u mundur për të dytën herë këtë kampionat dhe në fund të takimit është fiksuar rezultati 85-67. Ndeshja ka nisur në një atmosferë të shkëlqyer në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” teksa të pranishëm kanë qenë një numër i madh tifozësh e në veçanti ka rënë në sy grupimi “Vllaznit Ultras” që e ka mbështetur fuqimisht ekipin shkodran drejt arritjes së fitores.

Kanë qenë të pranishëm edhe presidenti i FSHB-së Avni Ponari si dhe gjithë anëtarët e kryesisë ngaqë mbledhja e saj është zhvilluar po sot pasdite në Shkodër. Takimi ka filluar menjëherë me dominimin e vendasve teksa Nikolin Arra shënon katër pikët e para dhe më pas ka ardhur rradha e sllovenit Mirza Sarajlija për të shënuar dy trepikësha rradhazi. Rezultati fillon të thellohet deri në 22-5 por më pas vendasit lëshojnë disi dhe bardheblutë ngushtojnë rezultatin. Perioda e parë mbyllet 28-22. Edhe e dyta nis në të njëjtën mënyrë dhe mbyllet në shifrat 42-32. Pas pushimit, do të vazhdojë e njëjta mënyrë loje dhe për rrjedhojë perioda e tretë do mbyllej në barazim 13-13. Në të katërtën, Vllaznia do shkëputej sërish dhe do ta fitonte atë 30-22 dhe krejt takimin me rezultatin 85-67 dhe kësisoj ajo arrin një tjetër fitore, të tetën rradhazi duke mbajtur sërish vendin e parë në renditje. Po sot është marrë vesh edhe një tjetër lajm i mirë për basketbollin shkodran. Në mbledhjen e kryesisë së kësaj Federate të zhvilluar në Shkodër, është vendosur që finalet e Kupës së Republikës si për femra ashtu edhe për meshkuj, të zhvillohen në Shkodër në datat 19-21 dhjetor. Kujtojmë që në turin gjysmëfinal kanë kaluar të dy ekipet e Vllaznisë, si për meshkuj ashtu edhe për femra, çka do t’i bëjë edhe më interesante këto ndeshje.
Gjergj KOLA