Drejtuesit e Erzenit po mundohen të nxitojnë në merkato, në mënyrë që skuadra të kompletohet deri në fund të këtij muaji dhe trajneri Xhevahir Kapllani të punojë i qetë.
Kampionati nis më 20 gusht dhe shijakasit janë vonë me ndërtimin e skuadrës, por megjithatë klubi nga ana e tij po lëviz në të gjitha drejtimet.
Në dy ditët e fundit, krahas emrave si Mario Beshiraj, Dashamir Xhika dhe Gëzim Krasniqi, shijakasit kanë arritur të sigurojnë marrëveshjen edhe me sulmuesit Niko Zisi dhe Dren Gashi, si dhe portierin Klevis Hasanbelli.
Burime në klub tregojnë se është arritur akordi me lojtarët dhe tashmë mbetet vetëm firma për t’u hedhur në kontratë.
Zisi është një emër i njohur i kampionatit, pasi pak vite më parë ka qenë pjesë e Kamzës dhe Bylisit në Kategorinë Superiore. 26-vjeçari ka qenë së fundmi në Greqi me klubin e Ligës së Tretë, AO Ypatou.
Ndërsa në vitin e kaluar ka luajtur në Gjermani me klubin SV Donaustauf.
Edhe kosovari Gashi nuk është i panjohur, pasi në sezonin 2019-2020 ka qenë pjesë e Egnatias së Rrogozhinës në Kategorinë e Parë.
Në kampionatin që lamë pas sulmuesi ka qenë në Superligën e Kosovës, fillimisht me Feronikelin, e më pas me Dukagjinin.
Gjithashtu portieri Hasanbelli vjen pas eksperiencës me Egnatian në Superiore, ku më së shumti ishte rezervë.
Megjithatë, duket se këtë repart Kapllani e ka blinduar tashmë, pasi titullar është afruar Dashamir Xhika, që ka luajtur te Kukësi dhe Partizani.
Ditët e fundit kanë sfumuar pista e mesfushorit Elvis Koçavi, i cili edhe pse nisi stërvitjen me Erzenin, mësohet se klubet nuk ranë dakord, teksa lojtari është nën kontratë me Apoloninë.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për malazezët Radule Zivkoviç dhe Jasmin Agoviç.
Drejtuesit po kërkojnë lojtarë jo vetëm brenda Shqipërisë dhe që e njohin mirë Superioren, por edhe në Maqedoni, Kosovë, Serbi, Bosnje e Mal të Zi.
Kjo javë pritet të ketë zhvillime të shumta në hyrje.