Para pak ditësh, sulmuesi shkodran, Belajdi Pusi konfirmoi se në sezonin e ri do jetë sërish pjesë e Turan. Skuadër që militon në ligën më të lartë të futbollit në Azerbajxhan. Për “Shkodra Sport” ai shprehet shumë i gëzuar për zgjatjen e këtij bashkëpunimi. 25-vjeçari thekson se ndihet shumë i vlerësuar dhe që ky do jetë edicioni i tij.

Pusi tha: “Jam pjesë e Turan që nga janari i këtij viti dhe mund të them se jam shumë i lumtur që do vijoj edhe 1 sezon tjetër këtu. Kam gjetur një ambient mbështetës dhe që më vlerësojnë. Ndoshta këto muaj kanë shërbyer për mua që të përshtatem më shumë me futbollin në Azerbajxhan.

Është ndoshta një futboll që mund të them se ngjan me Shqipërinë, ku futbolli i fortë është kryefjala. Por klubet janë shumë më të organizuara dhe serioze. Uroj dhe besoj se do jetë viti im, ku dua të shpërblej besimin e drejtuesve të cilët i falenderoj.

Nuk do harroj as menaxherët e mi, Dionis Derdovski dhe Alsid Tafili, të cilët më kanë ndihmuar me çështjet e kontratave. Shpresoj që të jap më të mirën, për klubin fillimisht e pastaj edhe për veten”.
Endri ÇINARI