Për shkodranin Ersi Vokrri, karriera në fushën e arbitrimit të sportit të basketbollit, duket se po ecën në mënyrën më të mirë. Ai po zhvillon sezonin e tretë si gjyqtar basketbolli, duke përfaqësuar në kampionatin shqiptar të basketbollit kolegjiumin e Shkodrës.
Vokrri, së bashku edhe me Fatjon Malevin, Gajtis Bashon dhe Hans Trajerin, janë të vetmit gjyqtarë basketbolli nga Shkodra në këtë kampionat. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Vokrri u shpreh se në qoftë se arbitrimin e bën me pasion, është ndjesi e bukur, ndërsa theksoi se ka shumë vend për përmirësim në të ardhmen. Për më tepër, lexoni intervistën e tij të mëposhtme me gazetarin Maringlen Zhivani:
Përshëndetje Ersi, faleminderit për intervistën!
Përshëndetje Maringlen, ju faleminderit ju për intervistën dhe promovimin e sportit me anë të punës tuaj!
Ersi, sezoni i tretë për ju si gjyqtar basketbolli, të cilët janë pjesë e rëndësishme e lojës, i kënaqur nga ajo që keni dhënë deri tani?
Po, sezoni im i tretë si gjyqtar basketbolli, kolegjiumi Shkodër. Jam shumë i kënaqur dhe arsyeja është pasioni për këtë sport.
Çfarë pret Ersi në të ardhmen?
Të ardhmes kurrë nuk i dihet, por pres nga vetja punë, punë dhe vetëm punë që të rritem akoma profesionalisht.
Si është të jesh një gjyqtar basketbolli, si janë kushtet më saktë?
Në qoftë se, arbitrimin e bën me pasion dhe dëshirë, të jesh pjesë e lojës, është ndjesi e bukur. Kushtet janë të mira, por si gjithmonë ka vend për përmirësim.
Ndoshta vitet e fundit, sikur ka pasur një rënie të përplasjes fizike me gjyqtarët dhe poashtu edhe të presionit, ndoshta diçka më pozitive edhe për ju besoj apo jo?
Shumë pozitive. Ky fakt lidhet edhe me kulturën sportive, ku dita-ditës po bëjmë hapa para dhe është për t’u vlerësuar.
Çfarë kërkoni më shumë nga vetja juaj ose diçka për ta përmirësuar nëse ka?
Nga vetja, gjithmonë duket kërkuar, por pa harruar për të punuar, sepse asgjë nuk vjen rastësisht.
Çfarë vlerësimesh ka në Shqipëri për gjyqtarët shkodran, të cilët nuk janë fort të shumtë?
Vlerësim do të thoja shumë të mirë, sepse gjyqtari shkodran Fatjon Malevi, mori stemën e FIBA, pak muaj më parë. Duke mos harruar, edhe gjyqtarët me eksperiencë si Gajtis Basho dhe Hans Trajer.
Çfarë vështirësi ka për një gjyqtar kur arbitron një ndeshje të nivelit të lartë? Ju ka ndodhur të gaboni dhe të ndiheni keq?
Vështirësitë duhen marrë parasysh, si në ndeshje të forta dhe ato pak më të forta, sepse ndeshje të lehta, nuk ka. Çdo ekip luan për pretendimet e veta dhe unë si gjyqtar, duhet të jem gjithmonë gati. Ka ndeshje që kanë më tepër “presion”, por përgatitja është ajo që të bën të jesh aty për të bërë më të mirën. Gjyqtari është njeri, ashtu si basketbollisti që luan apo trajneri, pra ka gabimet e veta. Mjafton që gabimi të jetë njerëzor dhe mendoj se nuk ka pse të ndihemi keq.
Shumë basketbollistë nga kampionati shqiptar i basketbollit vitet e fundit kanë nisur të kalojnë në kampionatin kosovar, pasi Superliga e Kosovës është më cilësore dhe pagesat janë më të mira, juve nuk ju ka shkuar ndërmend të gjykoni në Kosovë?
Nuk e kam menduar, por gjykimi në Kosovë tashmë është i mundur, falë bashkëpunimit të dy Federatave rrespektive, si asaj të Kosovës, edhe të Shqipërisë, duke krijuar “Ligën Unike”.
Si ish-basketbollist, në këndvështrimin tuaj, a ka të ardhme basketbolli shqiptar?
Po, dhe këtë po e them me shumë bindje, sepse duke marrë parasysh rajonin e Ballkanit, ku basketbollisi është sport kryesor në shumë shtete, me pak investime në infrastrukturën sportive, ka të ardhme.
Edhe diçka të fundit që të mos u marr më tepër nga koha juaj, por më tepër për lexuesin, ju keni ndonjë profesion tjetër jashtë gjyqtarisë së basketbollit, ushtroni ndonjë aktivitet tjetër?
Momentalisht, jam në fokus të mbarimit të studimeve Bachelor, Financë-Kontabilitet. Gjykimi i basketbollit të lejon ushtrimin e profesionit.
Intervistoi: Maringlen ZHIVANI