Nga Endri ÇINARI
Ishte një nga më të mirët e javës që lamë pas në Superiore, ku me paraqitjen e tij meritoi edhe formacionin e raundit. Fjala është për Marcelino Preken, mbrojtësi i Partizanit. I cili në fitoren 0-1 të të kuqve ndaj Teutës ishte ndër më të dalluarit. Për “Shkodra Sport” ai ka dhënë një prononcim të shkurtër, ku është shprehur i kënaqur që ka lënë pas problemet fizike dhe tashmë kërkon të jetë protagonist nga java në javë.
Preka tha: “Si fillim jam i lumtur për fitoren e ekipit sepse tani po gjejmë formën e duhur, duke marrë edhe rezultatet e duhura. Ndaj Teutës ishte një ndeshje e vështirë dhe e fortë, ku ia dolëm të merrnim 3 pikët në fund. Jam i gëzuar sepse qëndrova pët 90 minuta në fushë.
Ku uroj që tashmë ti kem lënë pas problemet fizike dhe të jem çdo javë në formë për të dhënë kontributin tim tek ekipi. Tani do kemi sërish ndeshje të forta ku unë patjetër dua të jap më të mirën, së bashku me shokët e ekipit. Dhe prandaj punojmë çdo ditë fort në stërvitje. Për të arritur objektivat e vendosura nga klubi.
Titulli kampion ? Partizani është kampion në fuqi dhe i takon të jetë pretendenti numër një për ta mbrojtur. Kampionati është i fortë dhe prandaj gjithçka merret nga ndeshja në ndeshje. Fokusi gjithmonë do jetë në ndeshjen e rradhës siç do jetë ajo me Laçin në mesjavë”.