Nga java e 12-të e kampionatit italian, në të gjitha stadiumet e Serisë A ka debutuar topi i ri zyrtar i kampionatit, “Puma Orbita Hi-Vis”, me ngjyrë portokalli fluoreshente. Kjo është një risi absolute në historinë e Serisë A, e miratuar për të garantuar maksimumin e dukshmërisë në çdo kusht atmosferik, si dhe një impakt viziv më të fortë e më të dallueshëm në fushë.

Në të kaluarën, tifozët e Fiorentinës këndonin shpesh “Il pallone è quello giallo”, por tashmë kjo nuk vlen më, topi portokalli është bërë standard për të gjitha ndeshjet e kampionatit italian.

I prodhuar sipas standardeve më të avancuara teknologjike, topi i ri është pajisur me një teknologji që kufizon thithjen e ujit, duke i lejuar atij të ruajë formën dhe performancën optimale edhe në reshje shiu apo fusha të lagura. Ai garanton precizion në pasime, trajektore të qëndrueshme dhe kontroll maksimal, duke ndihmuar futbollistët të performojnë në nivelin më të lartë.

Edhe dizajni, i gjallë dhe shumë i dukshëm, nuk është thjesht dekorativ: ai është pjesë e vetë performancës së topit, i menduar për të rritur kontrastin në fushë dhe për t’u ofruar tifozëve një përvojë vizive më tërheqëse dhe dinamike.

Me këtë ndryshim, Serie A synon të kombinojë inovacionin, sigurinë dhe spektaklin, duke bërë që topi portokalli të bëhet simboli i një sezoni modern dhe teknologjikisht të avancuar.