✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI

Pushimi i kampionatit nuk do shërbejë vetëm për rikuperimin e forcave apo rikthimin e të dëmtuarve tek Vllaznia. Kjo pasi gjatë kësaj periudhe skuadra nuk do ketë presionin e ndeshjeve dhe do mund të “relaksohet” deri në duelin e ardhshëm të kampionatit, ku në rikthimin e tij, kuqeblutë do jenë vizitorë në një transfertë të “sikletshme” përballë Partizanit. Megjithatë kjo periudhë 10-12 ditore do jetë një mundësi reale për disa futbollistë të kuqebluve për të “bindur” Edi Martinin.

Kjo pasi ky pushim do jetë si një tip “mini faze” përgatitore ku disa futbollistë që janë cilësuar si alternativa apo nuk kanë pasur minutat e duhura edhe për shkak të dëmtimeve, mund të bëjnë të “ndryshojë” mendje teknikun shkodran përsa i përket emrave të titullarëve në ndeshjet e ardhshme.

Kështu emra si Çelikoviç, i cili ende nuk ka debutuar me kuqeblutë që prej ardhjes së tij në fundin e shtatorit, apo edhe Qato i cili së fundmi është rikthyer nga një dëmtim duhet të arrijnë të bindin trajnerin dhe stafin teknik se meritojnë një vend në formacionin startues.

Gjithashtu edhe futbollistë si Pusi, Kuros apo edhe Sala do përpiqen të vënë në “vështirësi” teknikun shkodran. Që po shikon skuadrën e tij të plotësohet dalëngadalë, ku deri në rikthimin e kampionatit me ekipin pritet të bashkohen edhe Bismark e Dros, të cilët kanë vuajtur dëmtime gjatë kësaj periudhe.

Prandaj këto ditë do jenë një mundësi për disa futbollistë tek Vllaznia, që të tregojnë vlerat e tyre, në një moment ku skuadra kryeson kampionatin dhe qetësia e optimizmi janë të pranishme në kampin e 9 herë kampionëve të vendit tonë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”