Nga Endri ÇINARI
Kampionati shqiptar mbylli vitin 2023 me ndeshjet e javës së 18-të. Raund që u luajt në fundjavën që lamë pas dhe tashmë ekipet do jenë pushim. Një pushim që do zgjasë deri në javën e dytë të janarit, ku në datën 13, skuadrat i kthehen aktivitetit të zakonshëm futbollistik. Por ndoshta një pushim i tillë nuk ishte i duhuri në këto momente për Vllazninë.
Shkodranët që e mbyllën vitin me një fitore spektakolare në shifrat 5-0 ndaj Skënderbeut, po kalonin një moment forme të shkëlqyer. Kjo pasi suksesi ndaj korçarëve ishte i katërti në pesë javët e fundit për ekipin kuqeblu. Ky gjatë kësaj periudhe numërohet vetëm një disfatë në shifrat 3-0 ndaj Egnatias.
Ekipi 9 herë kampion i vendit ka grumbulluar më shumë pikë se të gjithë në 5 raundet e fundit. Kështu kuqeblutë numërojnë 12 pikë dhe pas tyre vijnë Egnatia me 10 pikë dhe Erzeni me 8 të grumbulluara në 5 javët e fundit. Më dobët se gjithë skuadrat e Superiores në 5 javët e fundit kanë bërë Partizani dhe Teuta me nga 4 pikë të fituara.
Pra duke parë këtë moment forme që po kalonin kuqeblutë, ky ndoshta nuk ishte momenti i duhur që pushimet të vinin. Pasi duket sikur këmba hiqet nga “gazi” dhe gjithçka duhet të nisë nga e para. Pavarësisht se kalendari me kthimin e Superiores e prezanton Vllazninë përballë Kukësit. Një duel që do e luajë në shtëpi, ku patjetër do kërkohet vazhdimësia e fitoreve.