Në sukseset e ekipit të gjimnastikës së femrave të Vllaznisë në vitet ’70-’80 edhe ajo ka dhënë një kontribut shumë të madh.

Për rrjedhojë, Vllaznia ka fituar disa tituj kampionë por edhe medalje të arta në Spartakiadat Kombëtare të viteve 1979 dhe 1984 dhe pjesë e këtij ekipi kanë qenë sportiste të shkëlqyera si Ermira Mandija, Fatime Sujovi, Qamile Rama, Remzije Ashikja, Mimoza Skuqi, Angjelina Manovi, Irma Zyberi e Kozeta Vasili.

Sot do të ndalemi tek njëra prej tyre, pikërisht Qamile Rama (Lekaj) e cila ishte edhe një nga gjimnastet e nderuara me titullin “Mirënjohje” nga Bashkia Shkodër me rastin e 100 vjetorit të SK Vllaznia.

Në një prononcim të shkurtër për “Shkodra Sport” ajo do të shprehej: “Ndihem shumë e nderuar dhe e privilegjuar që kam përfaqësuar Vllazninë në vitet ’70-’80, nën drejtimin e një trajneri tepër të respektuar si Bardhyl Hoxha.

Kam qenë pjesë e një ekipe me 7 mjeshtre sporti, një ekip shumë i fortë me të cilin kemi konkurruar denjësisht në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare.Fitorja e medaljeve të arta në Spartakiadën e vitit 1979 dhe një vit më vonë kemi marrë titullin “Mjeshtre Sporti” nga Federata Shqiptare e Gjimnastikës. Jam shumë e lumtur që kam kontribuar për këtë ekip i kemi dhënë aq shumë trofe Vllaznisë e Shkodrës”.
Gjergj KOLA

Lart nga e majta: Remzije Ashikja, Fatime Sujovi, trajner Bardhyl Hoxha, Qamile Rama, Mimoza Skuqi.
Poshte: Mira Mandija, Irena Zyberi, Rozeta Vasili, Angjelina Manovi