Klubi i Kukësit po përjeton sezonin më negativ që kur ka mbërritur 10 vite më parë në Kategorinë Superiore. Verilindorët, përtej dështimit në arritjen e kualifikimit në Europë apo për t’u bërë pjesë e luftës për trofe, po vuajnë sidomos një situatë jashtë fushës së lojës që mund të ketë pasoja shumë të rënda.
Një nga problemet më të mëdha për Kukësin, si rrallëherë më parë në edicionet e mëparshme, ka qenë mospagesa në kohë e detyrimeve financiare. Mungesa e rezultateve ka sjellë vonesa të pazakonta për Kukësin, duke shtyrë lojtarët që të bojkotojnë stërvitjen dy muaj më parë. Asokohe, ata morën garancinë se gjithçka do të qartësohej, por situata është përsëritur sot.
Lojtarët kanë refuzuar të dalin në stërvitje pa u sqaruar nga drejtuesit çështja e pagesave të prapambetura të cilat tashëm kanë kaluar çdo lloj vonese që në kampionatin shqiptar mund të cilësohet “normale”.
VIP Sport mëson se lojtarët e Kukësit kanë që nga muaji janar pa u paguar dhe kërkojnë që të shlyhen këto detyrime para se të kthehen në fushë për stërvitje, apo edhe për vetë ndeshjen që mbyll sezonin ndaj Kastriotit.
Një situatë e pazakontë në një edicion të pazakontë për Kukësin, i cili brenda pak muajsh duket se po shkatërron imazhin e mirë që kishte krijuar në futbollin shqiptar. /vipsport/