Era e fortë e disa ditëve më parë ka sjellë dëmtime në “Arenën Air Albania” në kryeqytet. Flitet për një faturë të lartë financiare, por stadiumi gjithsesi është gati për Ndeshjen e Yjeve, që do të luhet për të ndihmuar banorët e goditur nga tërmeti

Nga pamja e jashtme nuk kupton shumë, edhe pse punime ka plot, madje edhe në fasadë. Gjithsesi, burimet brenda kompanisë që punon bëjnë me dijë se “Air Albania Stadium” e ka marrë një goditje. Ka qenë era e fortë e disa ditëve më parë, por edhe tërmeti, që ka shkaktuar dëmtime, ndonëse jo për strukturat e stadiumit apo për fasadën, por për pajisje të brendshme, sidomos prej xhami.

Flitet se shifrat e dëmeve mund të arrijnë në qindra mijëra euro dhe ndoshta më shumë, kjo nga burime shumë pranë kompanisë “Albstar”, që është marrë me ndërtimin e stadiumit. Jo vetëm kaq, por thuhet se ka sjellë shqetësime të mëdha për kompaninë,që raportohet se ka shpenzuar deri tani 58 milionë euro dhe duhet të nxjerrë nga xhepi edhe shumë më tepër, ndërsa nuk është e qartë sesa do të arrijë të fitojë.


Shkak, sipas këtyre burimeve, ka qenë lënia hapur e disa dritareve në fasadë, gjë që ka lejuar hyrjen brenda të erës së fortë. Fuqia e saj është rritur në korridoret e brendshme të stadiumit.

Në stadium vazhdojnë punimet, ndonëse është e vështirë të dallosh nëse flitet për rregullim të dëmeve, apo thjesht për vijim të procesit të përfundimit të impiantit. Burime nga “Arena” bëjnë me dijë se dëmet ka disa ditë që po rregullohen dhe se tani thuajse gjithçka është në rregull.

Kjo do të thotë se nuk do të ketë asnjë problem për tifozët dhe publikun që do të ndjekë Ndeshjen e Yjeve, të organizuar për mbledhjen e ndihmave për familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar. /abcnews/