Vllaznia këtë sezon po bën mirë në kampionat dhe sigurisht që ëndrra e saj e madhe është fitimi i titullit kampion. Një ndryshim rrënjësor i saj në pretendime e kjo e ardhur nga mënyra ndryshe e administrimit të klubit.

Afrimi i një sponsori si z. Alban Xhaferi ka dhënë efektin e vet menjëherë dhe kjo e tregon më së miri faktin që ky klub duhet të privatizohet sa më parë. Procedurat në fakt kanë nisur, megjithatë ka edhe nga ata që mendojnë ndryshe.

Radiokronisti i njohur Edmond Dibra gjatë prononcimit të tij në emisionin “Sport Arena”, ka dhënë një mendim tjetër teksa në lidhje me këtë temë është shprehur:

“Siç e dimë, rruga e privatizimit të Vllaznisë tashmë ka nisur, por unë do uroja që kjo çështje të shtyhej për në fund të kampionatit. Nuk duhet të ndodhë në këto momente sepse prishet harmonia dhe shumë gjëra të tjera në skuadër.

Mund të prishet çdo gjë e bukur që është ndërtuar deri në këto momente, sepse një “X” president që ka për ta marrë Vllazninë, mund të vijë me mentalitet tjetër.

Ndoshta duke qenë se jemi edhe përpara fushatës elektorale dhe zgjedhjeve politike, nuk do të ishte mirë që privatizimi të ndodhte tani, por të shtyhej për më vonë dhe ky sezon të mbyllej nën drejtimin e donatorit Xhaferi dhe kryetares së Bashkisë”- ka deklaruar Dibra./SHKODRA-SPORT.COM/