Zeri i tij tashme eshte i dashur per te gjithe sportdashesit te cilet e ndjekin çdo fundjave nga stadiumet e Shqiperise duke komentuar per Radio-Tiranen ndeshjet e Vllaznise se futbollit, por edhe te ekipeve te tjera.

E kemi fjalen per radiokronistin Edmond Dibra, i cili sidomos ne ndeshjet e Vllaznise duket se e perjeton me shume emocione ate se çfare ndodh ne fushen e lojes. Vete ai shprehet se kjo maredhenie me kuqeblute gradualisht eshte shnderruar ne nje dashuri.

Njeriu qe komenton me shume pasion ndeshjet e futbollit ka pranuar te intervistohet nga gazetari Andi Gjurgjej dhe ne rrefimin e tij per “Shkodra Sport”, Dibra ka folur edhe per Vllaznine e sivjetme dhe eshte ndalur edhe tek pretendimet e saj por edhe tek ndeshja e rradhes me Teutes. Ja si eshte shprehur ai:


-Se pari faleminderit qe pranove te intervistohesh per Shkodra Sport…

Kenaqesi dhe per mua.

-Ju njiheni ne Shkoder si komentator i ndeshjeve te Vllaznise, por dhe si nje prej tifozeve te flakte te saj. Cila eshte marredhenia juaj me ekipin e zemres?

Nje marredhenie e cila ka kaluar ne dashuri tashme.

-Keni vite qe komentoni ndeshjet e Vllaznise ne Radio Tirana. Çfare ndjesie ju jep çasti kur e ushtroni kete profesion?

Nje ndjesi dhe kenaqesi pa fund. Te komentosh Vllaznine ne emisionin shekullor nga Njera ndeshje ne tjetren eshte privilegj dhe pergjegjesi e madhe.


– Na flisni pak per profesionin dhe pasionin tuaj?

Nder dhe krenari te percjellesh tek degjuesit e shumte emocionet qe te sjell loja magjike e futbollit. Te percjellesh emra te medhenj te futbollit shkodran e atij shqiptar e natyrisht te jesh pjese e ketij emisioni me pionieret e saj si Ismet Bellova, Moisi Dalipaj, te ndjeret Ymer Striniqi e Veli Rada etj dhe drejtuesin historik Ahmet Shqarri e pasardhesit Pirro Ruvina e strategen e sotme te mrekullueshmen Erga Kruja. Pasioni dhe emocioni jane pa fund.

-Ndiheni i gezuar qe pas shume problemesh, Vllaznia tani po arrin majat e futbollit shqiptar?

Normal, si çdo pasionant i futbollit te bukur shkodran, ndryshimet rrenjesore ne drejtim e ne staf si dhe rezultatet qe kemi arritur deri tani, nuk kane si te mos me emocionojne e gezojne. Dalengadale po ecim aty ku e meriton Shkodra ekipin e saj te zemres.

-Si e perjetuat momentin kur Vllaznia u shpall kampione dimri?

Nuk ka me mire. Ishte dhurata me e bukur qe djemte kuqeblu na bene ne kete fund viti.

-Po ndeshjen e fundvitit ndaj Tiranes? Mendoni se barazimi ishte rezultat i drejte, edhe pse shume tifoze nuk jane dakord per ate çfare Vllaznia dha ne fushen e lojes?

Klasikja gjithmone percillet me shume emocion tek sportdashesit, e para ndeshjes do isha i kenaqur me barazimin por menyra si rodhen ngjarjet ne ate takim mendoj se Vllaznia la dy pike ne klasiken e madhe.

-Si i perjetoni fitoret dhe humbjet e Vllaznise?

Fitoret normal qe te entuziazmojne pa mase ndersa humbjet te djegin shume. Por dhe humbjet nganjehere te lene shije qe te korrigjosh me pas, ku ndonese luan mire edhe humbet siç ndodhi perballe Kukesit dhe Laçit.

-Nje vleresim per stafin e ekipit dhe per sponsorin Xhaferi?

Dua ta nis me sponsorin Xhaferi. Eshte ai qe si me shkopin magjik ndryshoi çdo gje. Djale serioz, fjalepak e puneshume, ambicioz e kembengules, mbi te gjitha i ndershem e dashamires i sportit. Eshte ai i cili ngriti peshe nje Shkoder te tere. Beri qe tifozeria pas shume vitesh te enderroje tek emblema e saj.

Ndersa perzgjedhja e stafit i cili ka arritur ndonese jo me emra te medhenj, kane bere nje skuader kompetitive dhe grupi funksionon me se miri, e merite te veçante ka trajneri Brdariç i cili si gjerman dallohet per seriozitetin dhe kompaktesine e frymen pozitive qe percjell tek te gjithe.

-Mendoni se Vllaznise i nevojitet edhe ndonje sponsor tjeter, ku relativisht do rriteshin dhe te ardhurat ne klub?

Trimi i mire me shoke shume thote nje fjale e urte popullore. Çdo bashkepunim ne te mire te skuadres do ishte gje mjaft e mire. Presim ditet ne vazhdim ku dhe ankandi tashme pritet te filloje sa me shpejt e Vllaznia me se fundi te marre fryme lirisht.

-Vllaznia e nis vitin 2021 me super perballjen ndaj Teutes ne Loro Boriçi. Jeni optimist per nje fitore te mundshme te ekipit shkodran?

Normal qe ne natyren time mbizoteron gjithnje optimizmi, por me vjen mire qe presidenti, stafi e lojtaret jane me kembe ne toke, ndersa ne se bashku me masen e gjere sportdashese per hir te se vertetes jemi paksa euforike. Teuta eshte kthyer ne nje makth te vertete por mendoj se tani ora e se vertetes ka ardhur e Vllaznia do triumfoje ne kete super sfide.

-Faleminderit per intervisten…

Kenaqesi dhe per mua miku im. Ju uroj gjithe te mirat.
Intervistoi: Andi GJURGJEJ