Rafael Leao ishte protagonist në kualifikimin e Milan në Champions League. Galopimi i tij me top për 50 metra si dhe triblimi i disa lojtarëve të Napolit, përfunduar me një asist te Giroud, tregojnë më së miri për forcën dhe aftësitë e portugezit.
Gjithsesi, e ardhmja e tij te kuqezinjtë është në dilemë, pasi kontrata i sakdon pas një viti dhe rinovimi mungon të vijë. Ndaj, 23-vjeçari portugez, i ka dërguar sot një mesazh klubit në lidhje me rinovimin e kontratës.
“Jam shumë i kënaqur që jam pjesë e Milan, që luaj këtu. Kjo është shtëpia ime. Kam ende edhe një vit kontratë dhe po bisedojmë me klubin për të ardhmen”, u shpreh Rafael Leao për mediat italiane.
Duke folur për të ardhmen, ai shtoi: “Unë dua të qëndroj këtu, por janë disa gjëra që duhen sistemuar dhe klubi e di këtë gjë. Shpresoj që situata të qartësohet sa më shpejt”. Milan u kualifikua për në gjysmëfinalet e Champions League pas barazimit 1-1 ndaj Napoli, ndërkohë që kuqezinjtë fituan 1-0 ndeshjen e parë./telesport/