Ndërkohë që në “Air Albania” mbahet mbledhja e radhës e Ligës së Kategorisë Superiore, Edi Rama në një takim me mediet ka folur rreth bojkotit të futbollit dhe kërkesave të tyre. Kryeministri e quan kërkesë të papranueshme heqjen e taksave për 10 vite, teksa shprehet se mund të negociohet për pikat e tjera.

“Ne kemi bërë një ligj për sportin dhe kemi dhënë incentiva për futbollin, që nuk e ka bërë askush më parë. Nuk funksionon fakti se kërkojnë 10 vite mos pagesë taksash të rrogave. E dimë shumë mirë të gjithë se futbollistët nuk paguhen sa pastrueset dhe nuk paguajnë taksa si të gjithë. Edhe Messi e Ronaldo përfundojnë në prokurori për taksa.

Nuk mund ta bëjmë dot këtë, por mund të bëjmë një ulje fillestare dhe një TVSH 6% për investimet në sport. Padyshim mund të shihet taksa për infrastrukturën dhe jemi gati të bëjmë atë që duhet edhe për zinxhirin e fëmijëve, por Historia e këtij futbolli me pronarë që duan të shkarkojnë nëpër klube paratë që i detyrohen shtetit si pronarë të aktiviteteve të tjera, nuk kalon. As historia me biznesmenëve të pasur që kanë veshur fanellën e futbollit dhe kujtojnë se luajnë topash me qeverinë, nuk kalon.

Ka ardhur koha që mbështjetja e futbollit nga bashkitë për profesionistët të marrë fund. Do të investohet vetëm te fëmijët dhe infrastruktura. Ata të mos na tregojnë modele të tjerë ligjesh sepse i kemi parë se ç’kanë bërë vendet e tjerë. Mblidhni sa vite ka shtet dhe nuk është bërë për futbollin sa është bërë këto vite. Ne bëjmë për futbollin, por ka limit.

Habitem sesi nuk e kanë mësuar akoma se gjuha e forcës, bojkotit dhe shantazhit me mua nuk funksionon. Ata mund të jenë më rehat kur bëjnë bojkot, këtë nuk e di. Mund tu japin lojtarëve minimumin real, nuk kanë taksirate të tjerë dhe bëjnë luftë me qeverinë.

Ata nuk janë pjesë e një industria fitimprurëse. Nëse e mbajnë futbollin me ngastra, ku hidhet top e pritet top e nga ana tjetër fshihen lek, këtë mund të bëjnë. Janë të pavarur. Me ne nuk e bëjnë dot. Unë nuk shoh arsye se pse ata të kenë 10 vite pa taksa. Çfarë bëjnë ata më shumë. Ka gjasa që disa nga ju vrapojnë më shumë se ata, edhe nga pikëpamja e vrapit”, tha mes të tjerash Rama. /vipspor