Tifozi i zjarrtë i Vllaznisë, njëkohësisht ish- banori i “Big Brother” Meridian Ramçaj është i mendimit se dy kampionatet e fundit në Shqipëri po bëhen shumë të bukura dhe meritën për këtë padiskutim që e ka skuadra shkodrane.

Një deklaratë të tillë ai e ka bërë mbrëmjen e së hënës në emisionin “Procesi Sportiv” ku ai ka qenë i ftuar për të folur pikërisht për skuadrën e Vllaznisë por edhe për kampionatin shqiptar.

“Pyetja që duhet shtruar nga të gjithë është se çfarë ka kampionati shqiptar këto dy vitet e fundit që është bërë kaq i bukur? Përgjigja është e qartë: Është Vllaznia në formë, është Vllaznia që i dha bukurinë kampionatit.

Të gjithë besoj se janë dakord me mendimin se dy kampionatet e fundit janë shumë të bukura, e këtu kam parasysh kampionatin e kaluar që u mbyll me fotofinish dhe vetëm falë golaverazhit doli ekipi kampion. Vllaznia mendoj se i dha tonin e munguar kampionatit shqiptar”.

E ndërsa në studio flitej për presionin që drejtuesit e Partizanit kanë shtuar tashmë ndaj trajnerit Ilir Daja pas nisjes aspak të mirë të kampionatit, Ramçaj ka ndërhyrë duke thënë:

“Fati i Partizanit ishte që Brdariç e tërhoqi skuadrën prapa që në minutën e 65-të. Vllaznia është një skuadër që sulmon, di të bëjë lojë ofensive.

Por në momentet që tërhiqet prapa ndëshkohet e kjo ndodhi edhe me Teutën. Do ta shikoje Ilir Dajën nëse do të kishte rezultat tjetër në këtë ndeshje”./SHKODRA-SPORT.COM/