Pavarësisht deklaratave të pjestarëve të Tiranës apo dhe komunikatës për shtyp të shpërndarë nga klubi bardheblu, ato të Vllaznisë mendojnë ndryshe. Sipas tyre, ndaj lojtarëve miq nuk ka patur dhunë nga ana e policisë. Ai që ka folur ka qenë drejtori sportiv Eugent Zeka që në një prononcim për mediat, është shprehur: “Absolutisht e pavërtetë që policia të ketë ushtruar dhunë ndaj futbollistëve të Vllaznisë.

Nuk ka ndodhur asnjë gjë në korridoret e dhomave të zhveshjes. Thjesht ne kemi patur pretendimet tona për një sjellje jokorrekte të arbitrave dhe kaq. Për më tepër me mënyrën si veproi njëri nga arbitrat anësorë që u largua në mënyrën jo të duhur nga fusha e lojës”. Edhe trajneri Gjoka ka mohuar të ketë patur përplasje në dhomat e zhveshjes. “Nuk pati asnjë goditje mes lojtarëve të dy ekipeve por thjesht një kërkesë llogarie nga ana e futbollistëve të Vllaznisë ndaj arbitrit të ndeshjes”-është shprehur ai. Megjithatë, në korridore ka qenë i pranishëm edhe delegati i FSHF-së Bujar Pregja që me siguri do të raportojë me korrektesë për gjithçka ka ndodhur aty.
© shkodrasport.com