Përfaqësueset shqiptare kanë rezultuar fatsjellëse për sulmuesin e Totenhemit, Herri Kejn. Si pjesë e Anglisë U-19, më 8 tetor 2010 Kejn ka debutuar ndaj Shqipërisë dhe ka shënuar një gol në fitoren 6-1.

Dhe duhet të vinte pikërisht sfida e djeshme me kuqezinjtë që ta kthente sulmuesin te goli me “Tre Luanët”.

Pas 500 ditësh pritje 27-vjeçari arrin të shënojë me kombëtaren e angleze, gol i cili i mungonte që nga 17 nëntori 2019-ës ku i kishte shënuar Kosovës.

Me golin e djeshëm Herri Kejn arrin që të shënojë në 17 stadiume të ndryshme me kombëtaren angleze, por në këtë subjekt kryeson Uein Runi që ka shënuar me “Tre Luanët” në 27 stadiume të ndryshme dhe Majkëll Ouen me 25 stadiume të ndryshme.

Pas fitores 2-0 ndaj Shqipërisë në “Air Albania” sulmuesi i kombëtares angleze dhe autori i golit të parë, Herri Kejn u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës. Gjithsesi, ai pohon se Anglia po bën mirë, por provën kryesore e ka në mesjavë me Poloninë.