Vllaznia e sivjetme nuk është në vendin e parë të renditjes, por duket se ka mësuar nga gabimet e sezonit të kaluar dhe është më stabël në ecurinë e saj. Kështu mendon regjisori i njohur Eduard Grishaj që është njëkohësisht edhe tifoz i zjarrtë i kësaj skuadre.
Ai ka qenë i ftuar në emisionin “Procesi Sportiv” mbrëmjen e së hënës teksa i ka bërë edhe një pasqyrë të shkurtër të ecurisë së skuadrës shkodrane në dy sezonet e fundit duke thënë:
“Në Shkodër ekziston ajo shprehja: “Mos të hyftë vetja në qejf” të cilën në fakt e kemi shpikur për t’ua thënë të tjerëve dhe në fakt shpeshherë e kemi pësuar vetë siç ndodhi dhe sezonin që kaloi.
Kur futbollistët menduan se kampionatin mbaroi dhe ata e kishin fituar titullin, atëherë e humbën atë. Tek Vllaznia ka një problem shumë të madh që ka të bëjë me menaxhimin e së mirës.
Kështu i ndodhi dhe vjet dhe nuk arriti ta menaxhonte si duhet dhe e pësoi. Shpresoj që të mos i ndodhë edhe këtë vit. Por besoj se sivjet janë më stabël dhe kanë mësuar shumë nga e kaluara.
Vjet i duhet ta fitonte me çdo kusht kampionatin dhe në fund iu duk se Teuta ia vodhi atë. Unë nuk mendoj se nuk e vodhi, ishte edhe meritë e durrsakëve, por edhe falë gabimeve të shumta që bënë shkodranët”.
Këtë herë besoj se kemi për të ecur më mirë sepse skuadra “ka xanë mend”, është më stabël dhe janë më me këmbë në tokë dhe nuk po fluturojnë si vjet”