Rei Manaj ka marrë vëmendje të madhe në këto ditë teksa është transferuar te Barcelona B në Segunda Division nga Albasete. Megjithatë, sulmuesi i ka të gjitha mundësitë të luajë shansin e tij për të fituar grumbullimin edhe nga skuadra e parë e katalanasve.
Shenjat janë të mira teksa lushnjari është stërvitur dy herë me ekipin e parë dhe trajneri Setien e ka në fokus. Gjithsesi, si në rastin e mesjavës kur Barcelona luajti për Kupën e Mbretit, ashtu edhe për sot në kampionat, emri i shqiptarit nuk është në listë së bashku me Mesin e me shokë.
Manaj gjendet sërish në listën e të grumbulluarve për Barcelonën B, e cila zbret sot në fushë në orën 12:00 për ndeshjen ndaj Prat.
Kjo do jetë paraqitje e dytë për 22-vjeçarin me fanellën blaugrana, ndërsa mund të jetë takimi i duhur për të gjetur golin e parë pasi në ndeshjen e kaluar ishte i pafat teksa një gol iu anulua nga gjyqtari i sfidës. /VipSport/