Shqipëria e drejtuar nga trajneri Edoardo Reja, do të luajë sot në mbrëmje ndeshjen e parë eleminatore në Nations League, ndaj Islandës në transfertën e Reykjavikut. Përpara debutimit, trajneri Reja ka dalë në konferencën zyrtare për mediat, ku ka theksuar se skuadra ka punuar mirë gjatë këtyre ditëve në stërvitje dhe se janë gati për të dhënë maksimumin dhe luftuar për fitore.
Trajneri Reja u shpreh se në këtë grup nuk ka skuadra favorite dhe Shqipëria do t’i luajë shanset e saj për të fituar grupin. Ai tha se ka pasur një rritje cilësore të Kombëtares, ndërsa theksoi se të gjithë futbollistët janë të gatshëm që të jenë në fushë.
“Që nga momenti që kam nisur rrugëtimin tim këtu në ndeshjen me Islandën, kemi pasur një rritje cilësore, por edhe në rezultate. Jemi këtu për të arritur diçka më të mirë. Padyshim që sa më shumë zhvillohesh, aq më e vështirë bëhet për të arritur gjendjen optimale maksimale.
Padyshim që, të gjitha ekipet që janë në këtë grup, si Izraeli, si Islanda, pretendojnë që të jenë favorite me largimin e Rusisë. Megjithatë kjo e gjitha do tregohet në fushë dhe ne duhet të bëjmë gjënë më të mirë, për të treguar që jemi favorit jo vetëm në mendim, por edhe në fushë.
Të gjithë futbollistët që janë të grumbulluar janë fizikisht gati. I gjithë grupi është i gatshëm të jetë në fushë, kemi pasur dhe më parë mungesa dhe i kemi zëvendësuar me zgjedhje që rezultuan të suksesshme.
Kemi bërë një stërvitje të mirë dhe nga pikëpamja e grupit janë të gjithë mirë. Ajo që mbetet për të provuar është forca që do tregojmë në fushë, për të marrë më të mirën e mundshme nga kjo ndeshje.
Islanda është një skuadër e fortë, pavarësisht zhvillimeve është një skuadër fizikisht shumë e fortë. Ka kryesore luftën në ajër dhe duhet të jemi të kujdesshëm në çdo detaj, do mundohemi të bëjmë më të mirën, por nuk ka favorit në fushën e lojës. Duhet të bëjmë më të mirën.
Unë jam përpjekur të bëj një grup prej 24 apo 25 futbollistësh që të jenë në nivel të lartë dhe ia kemi dale. Mund të them që mungesa e Bares, Uzunit dhe Brojës ndjehet, por kemi një grup të mirë që i zëvendëson. Nuk kemi Uzunin, nuk kemi Baren, por kemi Abrashin, kemi Asllanin, Bajramin dhe besoj që kemi një grup të mire, që nuk do na bëjnë ta ndjejmë mungesën e këtyre futbollistëve”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Edoardo Reja.
Maringlen ZHIVANI