Marash Kumbulla duhej të ishte futbollist i Juventusit që dy vite më parë. “Zbulimin” e ka bërë trajneri i përfaqësuesesshqiptare, Edi Reja, i cili në një intervistë të dhënë për mediat italiane ka treguar se si është situata aktuale e mbrojtësit të përfaqësueses shqiptare.
“Napolit i thashë të merrte Kumbullën, ka ndërhyrje perfekte, është i fortë fizikisht dhe pastaj është një djalosh me një seriozitet ekstrem. Por për momentin ai ka refuzuar ofertën.
Edhe dy vite më parë duhej të përfundonte te Juventusi, por pak nga drejtuesit e Veronës e pak nga familja, preferuan që ta mbanin për ta rritur. Shqipëria? Në Itali nuk e ftoi askush dhe kështu unë e bëra të debutonte me kombëtaren e origjinës”, tha Reja për “L’Arena”.
Javën e kaluar trajneri ka ndjekur nga afër stërvitjet e Veronës nën drejtimin e Ivan Juriç, të cilin e vlerëson për mënyrën se si ka ndërtuar një skuadër kaq interesante. Duke folur për atë që ka parë te veronezët e që po mundohet të kopjojë, Reja ka zbuluar edhe problemin e Shqipërisë.
“Më dha mundësinë të spiunoja stërvitjet e tij në një javë të veçantë siç ishte kjo e fundit. Erdha ta shoh si rreshton në fushë Veronën pasi kam disa futbollistë të cilët për karakteristika i ngjajnë atyre të këtij ekipi.
Në të vërtetë, kemi pak mangësi në mesfushë, por shpresoj që të kaloj këto vështirësi nëpërmjet punës”, theksoi trajneri duke zbuluar kësisoj repartin që e shqetëson më shumë në radhët e përfaqësueses shqiptare. /vipsport/