Inteligjenca Artificiale po hyn gjithnjë e më fuqishëm në botën e futbollit dhe risia më e fundit vjen drejtpërdrejt nga FIFA. Gjatë Kupës së Botës 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, do të debutojnë avatarët digjitalë të animuar në 3D, të cilët do të ndihmojnë arbitrat dhe do të përmirësojnë ndjeshëm përvojën vizuale të tifozëve.
Ky projekt është fryt i partneritetit mes FIFA-s dhe kompanisë Lenovo dhe synon të transformojë mënyrën se si organizohet dhe transmetohet eventi më i madh futbollistik në botë. Sipas federatës ndërkombëtare, përfshirja e avatarëve digjitalë në teknologjinë e arbitrimit dhe në transmetimet televizive do të jetë një nga risitë kryesore të Botërorit 2026, veçanërisht gjatë rishikimeve të rasteve të pozicionit jashtë loje.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e ka cilësuar Kupën e Botës 2026 si “spektaklin më të madh ndonjëherë në planetin Tokë”. Ai theksoi se rreth shtatë milionë tifozë do të ndjekin nga stadiumet 104 ndeshjet e turneut, ndërsa mbi gjashtë miliardë njerëz pritet ta shikojnë nga shtëpia. Sipas tij, FIFA dhe Lenovo po shfrytëzojnë plotësisht teknologjitë digjitale dhe Inteligjencën Artificiale, të quajtur “Football AI”, për të mbështetur ekipet, arbitrat dhe për të ofruar një eksperiencë të re, spektakolare për tifozët.
Avatarët 3D të mbështetur nga IA do të mundësojnë identifikimin dhe gjurmimin e saktë të lojtarëve, duke përmirësuar ndjeshëm teknologjinë gjysmë-automatike të pozicionit jashtë loje. Kjo do të sjellë pamje më cilësore, vendime më të shpejta dhe një kuptim më të qartë për publikun.
Sipas FIFA-s, ky është vetëm fillimi i një epoke të re, ku Inteligjenca Artificiale do të luajë një rol kyç në zhvillimin e futbollit modern.


