Vetëm tre ditë pas fitores në Superkupën e Europës me shtesa, dhe pas 32 ndeshjesh radhazi pa pësuar shijen e humbjes, Bajern Mynih ka treguar se është “tokësor” dhe është mundur me shifrat 4-1 nga Hofenhajm, në sfidën e javës së dytë të Bundesligës.

Bavarezët nuk mundeshin që nga 9 dhjetori i vitit të kaluar, duke regjistruar që atëherë 31 fitore e 1 barazim, seri që u mundësoi të fitonin gjithçka në Gjermani e Europë gjatë kësaj periudhe.

Por lodhja e Superkupës duket se bëri të vetën, pasi Bajerni dukej më pak energjik se zakonisht e la shumë hapësira në mbrojtje, të cilat u shfrytëzuan nga Hofenhajm. Biçakçiç dhe Dabur shënuan dy gola të shpejtë në portën e Nojer, ndërsa më pas Kimish shkurtoi diferencën në fundin e pjesës së parë.

Flik hodhi në fushë Levandovskin e Goretzkën në pjesën e dytë, lojtarë të cilët ishin lënë në stol pasi kishin shpenzuar shumë energj në ndeshjen ndaj Seviljes. Por loja e Bajernit nuk ndryshoi shumë, pasi ekipi bavarez ishte shumë i pasaktë para portës në ato raste që krijoi.

Nga ana tjetër, Hofenhajm diktoi ritmin dhe gjeti përsëri rrjetën, duke shënuar dy here me Kramariç për të vulosur një fitore të rëndësishme 4-1 ndaj kampionëve në fuqi. /vipsport/