Shkruar nga Endri ÇINARI
Te Vllaznia po fryn një erë harmonie dhe humori pozitiv, një atmosferë që reflektohet qartë edhe në fushën e lojës. Tetë fitore radhazi në të dy kompeticionet, kanë ngjitur kuqeblutë në krye të renditjes, ndërsa në Kupë skuadra është shumë pranë kalimit në gjysmëfinale. Një moment i artë për shkodranët, që aktualisht janë në garë për gjithçka në futbollin shqiptar.
Suksesi i javëve të fundit nuk ka ardhur rastësisht. Brenda grupit mbizotëron uniteti, fryma e bashkëpunimit dhe një besim i ndërsjellë mes lojtarëve. Në stërvitje shihet qartë se skuadra është e çliruar psikologjikisht, me buzëqeshje dhe energji pozitive, por njëkohësisht me përqendrim maksimal në objektivat e radhës. Rezultatet kanë sjellë qetësi dhe vetëbesim, dy elementë thelbësorë në këtë fazë të sezonit.
Megjithatë, në Shkodër askush nuk dëshiron të bjerë në kurthin e euforisë. E kaluara ka treguar se entuziasmi i tepruar mund të kthehet në bumerang, ndaj këtë herë gjithçka po mbahet në ekuilibër. Mesazhi që vjen nga klubi është i qartë: këmbët në tokë dhe sytë nga ndeshja e radhës. Asgjë nuk është arritur ende dhe rruga drejt trofeve mbetet e gjatë dhe e mbushur me sfida.
Në këtë drejtim, roli i trajnerit Martini dhe drejtorit sportiv Sinani është thelbësor. Me eksperiencën e tyre, ata po e menaxhojnë me kujdes momentin pozitiv të ekipit. Në çdo dalje publike dhe në komunikimin me skuadrën, theksi vihet te përulësia dhe puna e përditshme. Asnjë deklaratë e bujshme, asnjë festë e parakohshme, por fokus i plotë te përgatitja dhe disiplina taktike.
Skuadra po i merr ndeshjet me radhë, pa bërë llogari afatgjata. Çdo kundërshtar trajtohet me seriozitet maksimal, pavarësisht renditjes apo formës së tij. Ky mentalitet ka ndihmuar Vllazninë të ndërtojë serinë e fitoreve dhe të ruajë ekuilibrin në momente presioni.
Sot, Vllaznia është në një pozitë të lakmueshme, por brenda klubit mbizotëron bindja se më e vështira ende nuk ka ardhur. Harmonia dhe humori pozitiv janë armë të forta, por ato shoqërohen me maturi dhe profesionalizëm. Nëse ky balancim ruhet deri në fund, kuqeblutë mund të vazhdojnë të ëndërrojnë, por gjithmonë me këmbë fort në tokën shkodrane.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


